Gerald Shehu, autori i dyshuar i vrasjes së Eraldo Nevruzit në një hotel në Dhërmi, është arrestuar nga autoritetet greke në një aeroport në Greqi.
Efektivët e policisë e kanë kapur teksa tentonte të arratisej drejt Anglisë, pasi ishte edhe i pajisur me dokumente angleze, teksa ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 00:30 në hotelin “Greccia” në Dhërmi, hotel në të cilin autori është bashkëpronar.
Autori dhe viktima ishin shokë dhe ishin kthyer në Shqipëri kohët e fundit për të hapur biznes bashkë. Policia dyshon se është vrasje pasi nga dëshmitë janë dëgjuar dy të shtëna me armë zjarri dhe po ashtu edhe gjurmë gjaku.
Bëhet me dije se ende nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të viktimës, i cili dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në një nga dhomat e hotelit. Tashmë 43 vjeçari do të merret në pyetje për të treguar se ku e ka fshehur trupin e viktimës, si dhe për të zbardhur arsyet e ngjarjes së rëndë.