EMRI/ Dyshohet se do kryente krim, 21 vjeçari i shpëton policisë në Kurbin, braktis mjetin bashkë me armë e municione

Një ngjarje kriminale është parandaluar në Kurbin, ndrësa policia ka shpallur në kërkim një 21 vjeçar.

Blutë njoftojnë se i riu, Adrea Korriku dyshohet se do të kryente një ngjarje kriminale, por në momentin që ka parë policinë ka braktisur mjetin, brenda të cilit janë gjetur një armë zjarri pushkë me fishekë dhe një sasi fishekësh pistolete.

21 vjeçari i ka shpetuar policise, që i ka bërë thirrje për të ndaluar ka braktisur mjetin dhe është larguar në drejtim të paditur. Po punohet për kapjen e tij.

Njoftimi i policisë:

Kurbin

Policia parandalon një ngjarje të mundshme kriminale.

Qarkullonte me automjet i armatosur me armë zjarri dhe dyshohej se do të kryente ngjarje kriminale, 21-vjeçari braktisi automjetin dhe u largua kur pa shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit në automjet, Policia gjeti një armë zjarri pushkë me fishekë dhe një sasi fishekësh pistolete.

Vijon puna për kapjen e 21-vjeçarit.

Strukturat e parandalimit të krimit, të Komisariatit të Policisë Kurbin, sapo kanë marrë informacion se një shtetas (i cili më parë ishte konfliktuar me një shtetas tjetër, konflikt i padeklaruar në Polici) po qarkullonte me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për bllokimin e automjetit dhe të shtetasit, me qëllim verifikimin e informacionit.

Gjatë kontrolleve për lokalizimin e këtij shtetasi, në Mamurras, në kuadër të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, është bërë lokalizimi i automjetit me të cilin 21-vjeçari lëvizte dhe menjëherë i është bërë shenjë për të ndaluar.

21-vjeçari, sapo ka parë Policinë, ka braktisur mjetin në distancë dhe është larguar me shpejtësi.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pushkë me municion luftarak, si dhe një sasi fishekësh pistolete, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Benz” që drejtonte 21-vjeçari.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. K., 21 vjeç, banues në Kurbin dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.