Pas një mbledhje më shumë se 7 orë me ministrat dhe deputetët, kryeministri Edi Rama vendosi të bëjë disa ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeveritar.
Vendimi më i rëndësishëm është ai i shkarkimit të Belinda Ballukut, e cila është arrë e pandehur nga SPAK< teksa kërkohet edhe autorizimi i Kuvendit për arrestimin e saj. Por, edhe pse nuk do të jetë më në detyrë, sërish Balluku do të ketë të besuarit e saj në qeveri.
Vendin e saj si ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës e ka marrë Enea Karakaçi, i cili ka një karrierë të ndërtuar si një nga njerëzit më të besuar të ish-zv.kryeministres. Karakaçi ka drejtuar OSHEE që nga qershori i vitit 2023, një institucion shumë i akuzuar nga opozita.
Ndërkohë, një tjetër person i promovuar prej saj do të jetë në qeveri si Ministër i Brendshëm. Ai është Ermal Nufi, i cili ka mbajtur pozicionin e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres.
Largimi më i befasishëm nga detyra është ai i Elisa Spiropalit, e cila nuk arriti të mbajë detyrën si Ministre e Jashtme as 6 muaj, por u zëvendësua me një diplomat karriere si Ferit Hoxha.
Shkarkimi i saj ndoshta ishte edhe i paralajmëruar nga kryeministri Rama, i cili vetëm pak javë më parë shprehu pakënaqësinë me punën e Ministrisë së Jashtme.
“Ministria e Jashtme është si Televizioni Publik Shqiptar. Është një tjetër dështim i madh i yni. E kam thënë dhe po e them. Nuk është një institucion në funksion të këtyre sfidave sepse nuk është reformuar asnjëherë. Edhe një ligj që e bëmë nuk ishte ligj apo reformë, ishte tualet. Makijazh! Ligji duhet të hapë rrugën për reformë, për të futur ajrin e pastër. Shqipëria ka sot njerëz plot jashtë në diasporë. Diaspora është pjesë e elektoratit të rëndësishme. Gradat janë marrë peng nga spikerat e politikës së jashtme të televizionit, as televizion nuk është se ata as nuk dalin”, tha Rama ndër të tjera.
Elisa Spiropali është e njohur për lavdet që i thur publikisht kryeministrit Rama, por mesa duket as fjalët dhe lavdërimet e mëdha nuk kanë arritur Ramën ta bindin për ta lënë gjatë në detyrë si ministre.