Dy shqiptarë shpallen ‘non grata’ në Beograd/ Ministria e Jashtme thërret ambasadorin serb: Rishikoni vendimin

Me argumentin se ata përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia ka vendosur t’u ndalojë hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Ceke, Rumania, Moldova, Maqedonia e Veriut, por dhe Shqipëria.

Bëhet fjalë Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë.

Mediat shkruajnë se ata ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.

Për këtë ngjarje ka reaguar Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Me një shënim në faqen e ssaj zyrtare në rrjetet sociale, MEPJ-ja konfirmon se ka thirrur në takim ambasadorin e Republikës së Serbisë, Slobodan Vukçeviç dhe i ka shprehur shqetësimin mbi këtë rast.

Ministria thotë se ka kërkuar, që autoritetet serbe të rishikojnë këtë vendim dhe të mos përsëriten ngjarje të tilla në të ardhmen.

“Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević. Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd. Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.  MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd”, shkruan ambasada.