“Do ju thërrasin në SPAK”, Shehaj debat me Ibrahimajn për “Durana Park”: Projekt i ideuar nga grupi kriminal Karçanaj-Agasi-Beqiri

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u përfshi në një debat me Ministren Ekonomisë dhe Inovacionit,Delina Ibrahimaj në lidhje me Durana Tech Park.

Gjatë interpelancës me Ibrahimajn, Shehaj tha se plani për ndërtimin fizik në Xhafzotaj ka kaluar në atë të funksionimit virtual, është krijuar për të favorizuar biznesmenë e kompani me probleme ligjore ose në pronësi të personave të shpallur në kërkim.

Shehaj akuzoi se kjo ishte një skemë mashtrimi për të favorizuar Ermal Beqirajn, Ergys Agasin dhe Mirlinda Karçanajn, “që përveçse të merrnin lekët nga arkat e shtetit, të kishin mundësinë të mos paguanin asnjë taksë.”

“Ju mbroni korrupsionin me buzëqeshje. U tregtuat e sinqertë. Jo që nuk kuptohet, nga një anë e mburrni projektin, dhe nga an tjetër minimizoni efektet. Ju duhet të jeni koherente, ose jeni krenare, ose keni frikë mos del në publik që përfituesit kanë përfituar miliona euro. Thatë që e keni ideuar ju këtë projekt. Mos u bëni qesharake, e keni ideuar ju? Ju nuk keni ideuar asgjë, dhe ju nuk keni vendosur asgjë. Nuk ju pyet njeri, ju plotësoni vetëm letrat dhe mbani përgjegjësi. Ju nuk dini nga t’ia mbani. Ju nuk i shmangni dot përgjegjësitë. Do ju thërrasin në SPAK për Duranën. Si kaluat ju nga parku fizik në parkun virtual? Ju bashkë me drejtoreshën e  korporatës, u bëtë bashkë dhe vendoset ta bënit virtual. Ju thanë në duhet tani të përfitojmë. Shpikët parkun virtual. po ju bie në qafë kot, ju thjeshtë keni bërë letrat”, tha Shehaj ndërsa paralajmëroi se Ibrahimaj do të thirret nga SPAK për këtë çështje.

Ndërkohë në përgjigje, Ministrja Ibrahimaj mohoi që projekti i Durana Tech Park të jetë një parajsë fiskale.

“Çdo përdorues që hyn në Durana përfiton nga lehtësirat fiskale dhe nuk janë aty për evazion. Lehtësirat fiskale përdoren gjerësisht nga qeveritë për nxitjen e sektorit prioritar. Teknologjia, inovacioni. Subjektet që marrin status përdorues, kur bëjnë shkelje,e  humbinn këtë status. Subjektet i nënshtrohen legjislacionit shqiptar. Nuk jemi në kushtet e parajsës fiskale”¸tha ajo duke përmbyllur se “shteti ka fituar, nuk ka humbur”.