Dritan Dajti, i dënuar me burgim për jetë për vrasjen e 4 policëve, prej disa muajsh tashmë kërkon lirinë nga burgu i Peqinit.
Ai ka hapur një proces të ri gjyqësor, ku kërkon që të mos zbatohet vendimi i dhënë në 2014 nga Krimet e Rënda, duke pretenduar parregullsi ligjore të rënda.
Sipas Dajtit, ky vendim është i pavlefshëm për shkak se i mungojnë nënshkrimet e 4 anëtarëve të trupit gjykues. Sipas kërkesës së tij që është depozituar sot, urdhri i ekzekutimit të prokurorit për ekzekutimin e këtij vendimi nuk ekziston.
Në qershor të këtj viti (2024) Gjykata e Lartë vendosi në dhomë këshillimi që të prishë vendimin kontrovers të 8 shkurtit të vitit 2019 të Apelit për Krime të Rënda, përmes së cilit Dajti përfitoi letësimin e dënimit në 25 vjet burg.
Dajti nuk e njeh fare këtë vendim dhe ka hedhur në gjyq burgun e Peqinit, duke i kërkuar të zbatojë vendimin e 2019 dhe ta lirojë.
Në korrik të vitit 2014, Dritan Dajti u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj gjatë një operacioni për arrestimin e tij më 7 gusht të vitit 2009 në plazhin e Durrësit.
Në të njëjtën ngjarje u vra edhe shtetasi Ledjon Mara, ndërsa mbetën të plagosur Fatjon Shamku dhe vetë Dajti.
Oficerët e policisë ishin në operacion për arrestimin e Dajtit, i cili ishte në arrati që nga viti 2004 kur u arratis nga ambjentet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kur po gjykohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo në vitin 1999.
Katër oficerët e policisë të vrarë u shpallën më pas Dëshmorë të Atdheut dhe u varrosën me cermoni zyrtare në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë.
Çështja gjyqësore ndaj Dajtit testoi gjithë sistemin gjyqësor në vend dhe u zvarrit për vite me radhë pas tërheqjes së njëpasnjëshme të avokatëve dhe tërheqjes së trupave gjykuese.
E megjithatë, një trupë prej pesë gjyqtarësh të komanduar nga Apelet e Vlorës dhe Shkodrës vendosi në vitin 2019 që të pranonte kërkesën për gjykim të shkurtuar për Dajtin, duke e shpëtuar atë nga burgimi i përjetshëm dhe duke e ulur dënimin e tij në 25 vjet burg.