Dosja “Veliaj”/ Plarent Ndreca do 2 javë kohë të njihet me aktet, SPAK kundër! Elman Abule dhe Klotilda Bushka kërkojnë gjykim të shkurtuar

Ka nisur në orën 09:00 seanca e gjykimit ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë të përfshirë në dosjen e tij.

Në seancë pati debate mes prokurorit Ols Dado dhe avokatit Maks Haxhia, përfaqësues ligjor i Ajola Xoxës.

Shkak për debatin në sallë u bë avokatja e caktuar kryesisht për ish- policin e burgjeve, Fatjon Baci, nëse ajo ishte njohur apo jo me dosjen. Kujtojmë se Baci akuzohet se i dha telefonin e tij kryebashkiakut Veliaj gjatë një shoqërimi për në GJKKO.

Ndërkovë avokati i Veliajt, Plarent Ndreca i kërkoi gjykatës 2 javë kohë për tu njohur me dosjen. 

Romina Zano, avokatja e Elman Abules, kërkon që të ndahet çështja për biznesmenin dhe më pas shpalljen e moskompetencës lëndore nga ana e gjykatës së posaçme dhe dërgimin e çështjes për gjykim në një gjykatë tjetër.

Avokati i Klotilda Bushkës kërkoi po ashtu dërgimin e çështjes në një gjykatë tjetër pasi ajo nuk është më deputete.

“E mbrojtura prej nesh, zonja Bushka, që në fazën e hetimit paraprak nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka cilësuar si të pambështetur në prova dhe fakte. Gjyqtari i seancës paraprake e kaloi çështjen për gjyq; ne kemi kërkuar pushimin e çështjes në atë proces. Së pari, konfirmojmë kërkesën për gjykim të shkurtuar, kërkojmë ndarjen e çështjes dhe shpalljen e moskompetencës lëndore të kësaj gjykate, si dhe dërgimin e çështjes në një gjykatë tjetër. Ne kemi sjellë një dokument që provon se Bushka nuk është më deputete”- u shpreh avokati Henrik Ligori.

E njëjta kërkesë, për shpalljen e moskompetencës për gjykim nga GJKKO ka ardhur dhe nga avokati i biznesmenit Mirton Likaj – shoqëria Lani sh.p.k, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi.