Dorëhiqet kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, shkaqet mbeten të panjohura

Ka dhënë dorëheqjen nga posti kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

Mediat raportojnë se dorëheqja i është dorëzuar të martën ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha. Nuk dihen ende arsyet që e kanë çuar Sulejmanin në këtë vendim.

Pak muaj më parë, Sulejmani u pezullua nga detyra me urdhër të prokurorisë së Beratit pas një hetimi të nisur për të, por çështja më pas kaloi në Tiranë dhe prokuroria e kryeqytetit pushoi hetimin dhe e riktheu në detyrë.

Për dorëheqjen e tij është vënë në dijeni edhe kryeministri Edi Rama.

Florian Sulejmani u emërua në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me urdhër të kryeministrit Edi Rama, në nëntor 2023, pas një gare për herë të parë me konkurs për zgjedhjen e drejtuesit, pas ndryshimeve ligjore.