Donald Trump i ka kërkuar Joe Biden të bëjë një test droge përpara se dyshja të përballen me njëri-tjetrin në debatin e muajit të ardhshëm, shkruan New York Post.
Gjatë një fjalimi gati 90-minutësh në darkën e Lincoln Reagan të Minesota-s, Trump u tha mbështetësve të tij se do të insistonte që Biden të bënte një test droge si parakusht për debatet mes tyre.
“Unë thjesht dua të debatoj me këtë djalë, por ju e dini, dhe unë do të kërkoj gjithashtu një test droge, meqë ra fjala,” tha Trump duke brohoritur.
Trump, 77 vjeç, ka kërkuar më parë që Biden të testohet për drogë. Megjithatë asnjë kandidat nuk përfundoi duke bërë një test droge përpara dy debateve të tyre të vitit 2020.
Ndërkohë ish-presidenti amerikan kritikoi edhe moderatorin e CNN, Jake Tapper, i cili parashikohet të drejtojë debatin, por tha se do t’ia dilte mbanë kundër tij dhe se priste që ai të tregohej i drejtë.
Debati i parë mes Trump e Biden do të zhvillohet më 27 qershor në CNN, në studiot qendrore të televizionit në Atlanta, Xheorxhia. Debati i dytë do të zhvillohet më 10 shtator në televizionin tjetër amerikan, ABC.