DOKUMENTI/ Policë apo skllevër? Turne 12 orë dhe anulim i pushimeve verore, efektivët 6 muaj pa marrë orët shtesë dhe lekët e ushqimit

Të jesh efektiv policie i vendit tënd është privilegj në të gjithë botën, por këtu në Shqipëri rezulton të jetë një sfidë.

Figura e efektivit të Policisë së Shtetit në Shqipëri po denigrohet çdo ditë e më shumë, kjo falë vendimeve që marrin drejtuesit e lartë, të cilët i kanë kthyer policët në skllevër, pasi jo vetëm që i mbajnë në orare të tejzgjatura, por as nuk u japin lekët që u përkasin me ligj.

Prej 6 muajsh efektivët e Policisë nuk kanë marrë lekët e ushqimit, pak më shumë se 100 mijë lekë të vjetra në muaj, pavarësisht se në fillim të vitit ministri i Brendshëm, Taulant Balla u premtoi se do t’i merrnin rregullisht.

Ndërkohë, janë shumë orë shtesë që këta efektivë kanë bërë, pasi janë detyruar që edhe në ditët e pushimit të shkojnë në punë në stadiume apo protesta, por edhe për këto orë nuk janë paguar.

Madje, disa prej tyre konfirmojnë se lekët për orët në stadiume nuk do t’i marrin kurrë, pasi u kanë thënë se nuk ka fonde.

Pas 6 muajve pa marrë ato që u takojnë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, u ka bërë edhe surprizën më të hidhur të vitit. Në një vendim të papritur, ai ka anuluar lejen verore të të gjithë efektivëve të Policisë, pasi sipas tij, ata duhet të shërbejnë për mbarëvajtjen dhe sigurinë e sezonit turistik veror, madje me turn 12 orarësh.

Një vendim absurd i firmosur në 18 Qershor, në një kohë kur shumë prej efektivëve mund të kenë programuar dhe parapaguar pushimet me familjet e tyre. Sipas Rrumbullakut, efektivët do të duhet t’i bëjnë pushimet verore pas 15 Shtatorit.

Pra, plazhi për policinë fillon në vjeshtë dhe dimër, ndërsa gjithë verën do të duhet të durojnë vapën dhe të presin me shpresë se do t’ua kalojnë edhe lekët e orëve shtesë, të cilat i prisnin me padurim për të kaluar pak ditë pushimi me familjen.

Pak vite më parë, Policia e shtetit kishte fonde të mjaftueshme për të blerë një kapele 300 euro, ndërsa tani nuk ka fonde as për të paguar efektivët, që rrezikojnë edhe jetën e tyre kur përballen me kriminelë që mbrohen nga politika.

Ndonjëherë u duhet edhe të durojnë ofendimet e djemve, nipërve apo miqve të politikanëve, që sillen si shefa përpara këtyre policëve të keqpaguar, uniforma e të cilëve është kthyer vetëm në një veshje të zakonshme, dhe jo një tregues i forcës së ligjit.

Nga ana tjetër, shumë drejtues dhe shefa policie janë bërë milionerë falë bashkëpunimit me krimin e organizuar, siç kanë treguar arrestimet e SPAK.

Policëve duhet t’u kthehet dinjiteti që meritojnë, që në Shqipëri “sundimi i ligjit” të mos jetë vetëm një operacion policor ku arrestohen disa persona dhe lirohen një muaj më pas, ndërsa bosët e krimit lëvizin pa u frikësuar nga ligji.

Në një vend ku dyfishohen rrogat e deputetëve dhe ministrave dhe rriten me qindarka ato të policëve dhe mësuesve, nuk mund të presim asgjë tjetër më shumë se vendi i fundit në rezultatet e PISA-s dhe vendi i parë në korrupsion.