Do konfiskohen paratë e korrupsionit të fshehura tek kushërinjtë apo miqtë

Në Parlament ka mbërritur një ndryshim i Kodit Penal që synon të konfiskojë para korrupsioni apo krimi të cilat ruhen apo janë investuar tek të afërmit e kriminelëve apo zyrtarëve të korruptuar.

Ky ndryshim është kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë por edhe nga organet shqiptare të drejtësisë për të rritur luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Ndryshimi i Kodit Penal do mundësojë që çdo pasuri e dyshimtë tek miqtë apo të afërmit e politikanëve të korruptuar apo kriminelëve të konfiskohet menjëherë.

Konkretisht bëhet fjalë për nenin 74 të Kodit Penal që kërkon konfiskimin tek të tretët.

Si pritet të ndryshohet?

Neni 74

1. Konfiskimit i nënshtrohen edhe produktet ose pasuritë e tjera, vlera e të cilave u korrespondon këtyre produkteve, të cilat janë transferuar tek persona të tretë nga autori i veprës penale, ose që personat e tretë kanë blerë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga autori, me kushtin që personat e tretë të kenë ditur ose duhej të kishin ditur që qëllimi i tjetersimit të pronësisë ose i blerjes ka qenë shmangia e konfiskimit, duke u bazuar në fakte dhe rrethana konkrete, si dhe kur transferimi ose blerja është bërë falas apo kundrejt një vlere shumë herë më të vogël sesa vlera e tregut.

2. E  njëjta masë vendoset edhe ndaj sendeve apo pasurisë qërrjedh nga kryerja e veprës penale, është produkt apo mjet i kryerjes së saj, kur ato gjenden tek persona të tretë për çfardolloj arsye.

3. Konfiskimi sipas paragrafit të parë të këtij neni nuk cënon të drejtat e palëve të treta që janë  në mirëbesim.