“Dhuratë” për vitin e ri/ Më 4 janar merr jetë “trau i zhvatjes”, rruga Thumanë-Kashar bëhet me pagesë

Me ardhjen e vitit të ri po shtohen surprizat për shqiptarët. Por jo të gjitha surprizat janë të ëmbla, madje ka prej atyre që t’i zbrazin xhepat.

Më datë 4 janar 2025, pritet të marrë jetë “trau i vjeljes’ së shqiptarëve, i vendosur në rrugën Thumanë-Kashar. Kjo është konfirmuar nga Shoqëria koncesionare “G2-INFRA”.

“Ky aks i ri ofron një përvojë udhëtimi më të sigurt, më të shpejtë dhe përbën një nga arteriet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë”, njofton kompania koncesionare.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në nëntor u mburr duke thënë se në segmentin Thumanë-Kashar kishin kaluar mbi 2.5 milionë mjete, nga data 28 qershori deri më 30 shtator.

Për këtë rrugë, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ka kërkuar interpelancë Ballukut, por kjo e fundit nuk ka pranuar të japë llogari.

Lexo edhe këtë: https://ditar.al/ppp-ja-1-3-miliardeshe-thumane-kashar-shehaj-e-sfidon-serish-ballukun-leri-brockullat-te-enjten-hajde-ne-kuvend/

Aksi rrugor Thumanë-Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash. Më herët është lajmëruar se pagesa nuk do të jetë më pak se 2.1 euro pa TVSH për automjet, ndërsa me TVSH do të jetë 2.52 euro.

Segmenti Thumanë-Kashar u hap për qarkullimin e automjeteve në datën 30 qershor të këtij viti dhe deri më tani, kalimi ka qenë pa pagesë.

Pas traut në rrugën e kombit, shqiptarët do duhet të falen tek trau i dytë, i cili iu zbraz xhepat para se t’i drejtohen Tiranës apo para se të marrin rrugën për të shkuar drejt qyteteve veriore, e më pas në Kosovë.