Tre punonjës të Komisariatit nr.6 në Tiranë janë pezulluar nga detyra pasi ditën e djeshme dhunuan një 15 vjeçar gjatë shoqërimit teksa i mituri u kap me një armë zjarri.
Mësohet se arrestimi i të miturit ka ndodhur ditën e djeshme, pavarësisht se Policia e njoftoi sot, por ajo që vihet re është dhuna e ushtruar nga efektivët kundrejt të miturit.
Në pamje e publikuara në rrjetet sociale dukej momenti se si policët e godasin me grushta dhe shpulla në kokë të miturin, ndërkohë që ai ulet për t’u mbrojtur.
Njoftimi:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pasi u njoh me një video të publikuar në rrjetin social JOQ, në të cilën shfaqen 3 punonjës policie që shkelin rregulloren e Policisë së Shtetit, gjatë veprimeve operacionale për arrestimin e një 15-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri në Fushë-Mëzez, menjëherë ka pezulluar nga detyra 3 punonjësit e Policisë, konkretisht:
-Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në zbatim të Nenit 121 të Ligjit Nr.82, viti 2024 “Per Policine e Shtetit” ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.