Dhunoi nxënësin gjatë orës së mësimit, procedohet mësuesi në Sarandë

Një mësues nga fshati Velgov i Sarandës është proceduar penalisht pasi ka dhunuar një nxënës gjatë orës së mësimit.

Ngjarja ka ndodhur në shkollën 9 vjeçare të Finiqit, ndërsa rasti u bë publik në rrjete sociale.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. N., 58 vjeç, banues në fshatin Velhov, mësues në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Finiq, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një nxënës, gjatë orës së mësimit (Rasti u publikua në rrjete sociale)”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.

Në videon e publikuar në rrjete sociale shihet momenti kur mësuesi G.N ushtron dhunë ndaj një nxënësi.

Sipas shokëve të klasës, ngjarja ka ndodhur pasi nxënësi i kishte pëshpëritur një fjalë në vesh një shoku të tij gjatë orës së mësimit. Mësuesi reagoi menjëherë dhe i dha një goditje të miturit.