Dhunoi kunatën për t’i marrë pronat, arrestohet vëllai i Muçi Shaljanit që u vra në atentatin e Rinasit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku Shemsi Shaljani, vëllai i Muçi Shaljanit, i vrarë në atentatin e Rinasit në 11 Nëntor të vitit të kaluar, është arrestuar me akuzën e dhunës në familje.

Vendimi për masën e sigurisë “arrest me burg” është dhënë nga Gjykata e Tiranës më 16 mars, pas kallëzimit të bërë nga bashkëshortja e të ndjerit, e cila pretendon se është kërcënuar dhe dhunuar nga kunati i saj.

Sipas burimeve, konflikti ka lindur pas vdekjes së Muçi Shaljanit, ku familjarët e tij kanë ngritur pretendime për pronësinë e një ndërtese 4-katëshe në rrugën “Spiro Deda”, si dhe për dy ambiente biznesi (bar-kafe) që administroheshin nga viktima.

Fillimisht, e veja ishte drejtuar në polici për ndihmë lidhur me një konflikt për çelësat e objektit, të cilët i ishin marrë nga Denis Morina, vëllai nga ana e nënës i Shaljanit. Pas ndërhyrjes së policisë, palët arritën një marrëveshje dhe çelësi iu kthye 40-vjeçares, ndërsa për çështjen e pronësisë u orientuan drejt zgjidhjes në gjykatë.

Por situata u përshkallëzua një ditë më vonë. Gruaja kallëzoi se Shemsi Shaljani kishte shkuar në banesën e saj, kishte goditur derën me forcë dhe i kishte kërkuar të largohej nga prona së bashku me fëmijët, duke e kërcënuar me jetë.

Pas denoncimit, policia ka sekuestruar pamje filmike dhe ka marrë dëshmi nga persona të pranishëm në vendngjarje. Ndaj gruas është lëshuar një urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, ndërsa Shaljani është vënë në pranga dhe ndodhet në paraburgim.

Ngjarja lidhet me një zinxhir zhvillimesh që pasuan atentatin mafioz të 11 nëntorit 2025 pranë Rinasit, ku Muçi Shaljani u vra pas një sulmi me armë zjarri. Në të njëjtin atentat humbi jetën në vend edhe Gilmando Dani, ndërsa Shaljani ndërroi jetë më pas në spital.