Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e të hënës në Vaun e Dejës.
Policia konfirmoi se ka arrestuar një 68-vjeçar, i cili tentoi të vriste me çifte gruan e tij për shkaqe xhelozie.
Sipas të dhënave të policisë, i arrestuari ka goditur gruan me grushte në fytyrë si dhe e ka dëmtuar me një mjet prerës në qafë e shpatull.
Fatmirësisht gruaja është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Qëlloi me armë gjahu çifte drejt bashkëshortes, me qëllim vrasjen e saj, kapet dhe vihet në pranga 68-vjeçari. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e gjahut çifte.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës pas njoftimit të marrë se një shtetase nga Vau i Dejës po transportohej për ndihmë mjekësore drejt spitalit të Shkodrës pasi dyshohej se ishte dhunuar nga bashkëshorti, menjëherë kanë organizuar punën për sqarimin rrethanave, kapjen dhe arrestimin autorit
Në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër u bë kapja e shtetasit Xh. H., 68 vjeç, banues në fshatin Mjedë dhe arrestimi në flagrancë i tij për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 68-vjeçari, për motive të dobëta (xhelozie) ka qëlluar 2 herë me armë gjahu çifte në drejtim të bashkëshortes për ta vrarë dhe më pas e ka goditur me grushte në fytyrë dhe e ka dëmtuar me mjet prerës (xham) në pjesën e qafës dhe shpatullës. 61-vjeçarja ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut çifte, dy gëzhoja dhe 17 fishekë armë gjahu. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.