Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë mesazhin që i ka ardhur nga Flamur Isufi, vëllai i policit Ardian Isufi që dhunoi kamarierin e një lokali në Vlorë pasi ngatërroi porosinë.
Në mesazhin e bërë publik nga Berisha, Isufi thotë se vëllai i tij nuk ka qëlluar, por ka ndërhyrë për të shuar konfliktin pasi i riu ka fyer klientin. Pasi ky i fundit e ka qëlluar më pëllëmbë, vëllai i tij ka ndërhyrë për të shuar konfliktin.
“Edhe një herë për keqtrajtimin e kamarierit në Vlorë! Kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe goditjen e 17-vjeçarit për një shishe uji në lokal! Por vëllai i oficerit të policisë që u akuzua për goditjen e kamarierit mohon në mënyrë kategorike se oficeri ka goditur vetë kamarierin, ndërkohë që një grup prej disa vetësh kanë goditur dhe plagosur rëndë oficerin, i cili ndodhet në reanimacion. Avokati i oficerit insiston se ky i fundit nuk e ka goditur 17-vjeçarin! Për transparencë, po publikoj këtu mesazhet që ka dërguar në telefonin tim Flamur Isufi, vëllai i oficerit! Uroj që jashtë çdo subjektivizmi, kjo ngjarje të zbardhet plotësisht”-shkruan Berisha
”Unë që po të shkruaj quhem Flamur Isufi. Unë jam vëllai i oficerit të policisë Ardian Isufi.
Ngjarja nuk është si jua kanë thënë. Vëllai im nuk e ka goditur kamarierin, përkundrazi, për të shmangur konfliktin në tavolinë, për shkak të sjelljes provokuese të kamarierit, që qe e paramenduar nga pronari i lokalit për shkak të detyrës që ka mbajtur në policinë e Vlorës, është ngritur nga tavolina dhe e ka këshilluar të jetë i sjellshëm me klientët. Kamarieri ka vazhduar debatin me personin tjetër, duke e ofenduar. Personi i ndodhur përballë fyerjeve godet me pëllëmbë kamarierin. I ndodhur përballë këtij fakti, vëllai im është futur në mes dhe i ka ndarë, duke hequr personin që kishte në tavolinë. Në asnjë moment vëllai im, siç e shikoni dhe në video, nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm që të cenonte kamarierin”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e shkruar nga vëllai i oficerit.