Gjykata e Apelit ka lënë në burg autorët që dhunuan barbarisht avokatin Sokol Mëngjesi, pak javë më parë në Tiranë.
Gjykata ka lënë në burg porositësin Dritan Nano dhe njërin prej agresorëve, Dorian Alia. Ndërkohë në kërkim vijojnë të jetë 2 dhunuesit e tjerë Drivaldo Alia, Elton Kasaj si dhe personin që i largoi ata nga vendi i ngjarjes, Romario Tabaku.
Avokati Mëngjesi qëndroi prej disa ditësh në koma në Tiranë ndërsa u dërgua në spitalin e Athinës, ku mësohet se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Rikujtojmë se policia ka vendosur 20 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në kapjen e tre autorëve.
Sokol Mëngjesi u dhunua mëngjesin e 29 majit në zonën e ish-bllokut pasi po çonte fëmijën e tij në kopsht, ku u dhunua barbarisht nga tre të rinjtë, me urdhër të Dritan Nanos. Ky i fundit, nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë dhe sipas kontrates, avokati do të perfitonte një përqindje të caktuar të pronës së fituar më gjyq.