Dëshmitë për ‘TIMS’ në Komisionin Hetimor, ministri Balla kërkon që seanca të mbahet me dyer të mbyllura

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili do të dëshmojë i pari sot në Komisionin Hetimor të TIMS, ka kërkuar që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave.

Përmes një shkrese zyrtare dërguar komisionit 15 minuta para se të niste mbledhja, Balla argumenton se informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP).

Balla vlerëson gjithashtu që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni. Në kërkesën e tij ai sjell në vëmendje gjithashtu, se çështja “TIMS” është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.

Por kërkesa e Ballës, u refuzua nga kryetari i komisionit Ervin Salianji, i cili tha se nuk ka sekret shtetëror dhe se dokumentet janë administruar, duke nxitur edhe debate të forta mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës.

Ditën e sotme pritet të dëshmojnë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.