Deputetët e PS-së nisin garën, si po kërkojnë t’i bien në sy Ramës që t’i fusë në listat e deputetëve të vitit 2025

Teksa zgjedhjet e vitit të ardhshëm po afrojnë, edhe deputetët e mazhorancës kanë nxehur motorrët dhe kanë nisur garën me njëri tjetrin për të qenë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë.

Për të qenë pjesë e atyre listave duhet të bien në sy të kryeministrit Rama, ndaj edhe në seancat e fundit plenare ka filluar t’u dëgjohet zëri edhe atyre që për më shumë se 3 vite vetëm kishin ngritur dhe ulur dorën.

Retorika e tyre ëhstë e njëjtë, sulme ndaj opozitës dhe propagandë se qeveria ka bërë punë shumë të mirë në të gjitha fushat, por pa përmendur me saktësi se cilat kanë qenë sukseset e liderit që ata admirojnë dhe i thurin lavde sa herë kanë mundësi.

Eduard Shalsi është një prej  tyre, që pas mbrojtjes që i bëri kompanive të mikrokredive dhe kompanive që tregronin akullore me lëndë kancerogjene, ka nisur kohët e fundit të marrë fjalën më shpesh se zakonisht në Kuvend duke bërë propagandën e qeverisë, ashtu siç ndodhi edhe sot, por u përball me kundër akuzat e opozitës se kishte fshehur pasurinë në emër të gruas.

Një tjetër deputete që ka shtuar aktivitetin e saj në Kuvend është edhe Blerina Gjylameti, e cila njëjtë si kolegët e saj socialistë, nuk humbet asnjëherë rastin për të sulmuar opozitën.

Ndërkohë, sot u rikthye të flasë edhe Toni Gogu, që ngriti zërin më shumë se ndonjëherë tjetër duke hedhur akuza mbi opozitën dhe duke dhënë leksione se si duhet të funksionojë Parlamenti.

Janë edhe shumë deputetë të tjerë që kërkojnë t’i bien në sy Ramës dhe të hedhin sa më shumë baltë për opozitën në Kuvend, ndërsa në emisionet televizive flasin për qeverisjen e mirë të kryeministrit Rama.

Në fund, emrat e kandidatëve do të caktohen nga Rama në bazë të interesave të tij, në mos do të ketë edhe ndonjë ndërhyrje nga bandat si në rastin e Jurgis Çyrbjas, siç treguan edhe përgjimet.