Deputeti Erald Kapri ka denoncuar centralizimin e pushtetit tek kryeministri Edi Rama, duke thënë se në Kuvend po shkojnë projektligje që i japin Ramës të drejtën të vendosë i vetëm për çdo gjë.
Kapri tha se projektligji i fundit që pritet të miratohet sot në Kuvend është ai që i jep të drejtë vetëm kryeministrit Rama që të japë portet turistike, ndërkohë që kryeministri do të vendosë edhe për kreun e ri të Gardës, me këtë të fundit që nuk do të zgjidhet me konkurs, por do të jetë ekskluzivitet i kreut të qeverisë.
“Sot në rendin e ditës kemi një projektligj që hedh poshtë gjithçka që u tha sot. Sot kemi një projektligj me një nen që thotë se vetëm kryeministri ka të drejtë të japë porte turistike. Nuk e di ku e kanë gjetur këtë në një vend të BE. Këto ligje me porosi që nuk i nënshtrohen asnjë lloj konsultimi, e tejkalojnë numrin e ligjeve që duhet të na përafrojnë me BE.
Nuk e di ça ka mbetur më këtu pa i dhënë kryeministri. Madje, ironikisht, u tërhoq edhe projektligji për Gardën E Republikës, që përcaktonte se kreu i Gardës zgjidhej me konkurs, ndërsa projektligji i ri thotë që edhe kreun e Gardës e zgjedh kryeministri.
Pra, kryeministri vendos se kush merr koncesione, se kush do bëhet kryetar bashkie, se çfarë do vendosë Gjykata kushtetuese. Madje sot kryeministri ka kërkuar nga Gjykata e Lartë që të akuzuarit për korrupsion që janë në paraburgim, të dalin nga burgu. Siç kryeministri vendosi që Belinda Balluku të ketë imunitet”, tha Kapri.
Ai denoncoi edhe mungesën e transparencës nga ana e qeverisë, si dhe kërksën e bërë nga kryeministri Rama që Shqipëria dhe Serbia të jenë bashkë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.
“Na thoni ne që jemi kundër integrimit? Çfarë transparence bëni ju? Vendosni të pengoni luftën ndaj korrupsionit? Ne nuk e dimë ça po bëhet me pronën në këtë vend. Nuk e dimë nëse kemi realizuar planin e rritjes. Ne nuk e dimë se si ka mundësi se si kryeministri i Shqipërisë mendon se integrimi kalon nga Beogradi. Çfarë ishte kjo kërkesë që Shqipëria bashkohet me Beogradin për të hyrë në BE.
Ne vendi më pro-perëndimor, bashkohemi me një aleat të Rusisë që nuk ka kërkuar akoma falje për krimet e luftës. E gjithë përgjegjësia në fund do jetë e juaja, e kësaj mazhorance”, tha deputeti i Partisë mundësia.