GJKKO ka dënuar me 11 vite burg biznesmenin Rezart Taçi i akuzuar se do të pastronte në vendin tonë 18.3 mln euro të mafias italiane Cosa Nostra.
GJKKO e ka shpallur fajtor Taçin për pastrim parash, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Gjykata e Posaçme ka vendosur edhe konfiskimin e 18.3 milionë eurove të depozituara në bankat shqiptare nga italianë të dyshuar të lidhur me Cosa Nostrën, që dyshohet se Taçi do t’i pastronte me transaksione përmes firmave të naftës.
Ndërkohë SPAK kishte kërkuar 13 vite burg për Taçin, i cili ndodhet në arrati që prej vitit 2021.
Procesi ndaj biznesmenit ishte pezulluar për një vit për shkak se ai nuk është gjetur për tu arrestuar në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tij.
Kujtojmë që GJKKO ka dënuar me 10 vite burg shoferin Bledar Lilo dhe me 11 vite burg kunatin Artur Ballën, të cilët janë të akuzuar për “pastrim parash”.
Ata akuzohen se me biznesmenin Taçi transferuan 18.3 milionë euro në një bankë të nivelit të dytë, para që dyshohen se i përkasin organizatës mafioze Cosa Nostra.