Televizioni Klan ka publikuar videon e sherrit të ndodhur pas emisionit “Opinion”, ku pretenduesit e pronave në Rrjoll u përplasën fizikisht me njëri tjetrin.
Pas debateve në emision të Fatmir Shpellzajt dhe Prekë Mollës, konflikti vijoi edhe jashtë studios televizive, ku të afërm të të dyja palëve u goditën me grushte dhe sende të forta.
Fatmir Shpellzaj ishte i pari që denoncoi dhunën ndaj djalit të tij, duke thënë se banorët e Rrjollit e kishin dhunuar dhe ishte detyruar ta kalonte natën në spital për shkak të frakturave. Por, siç duket edhe në video, djali i tij së bashku me një grup personash janë të parët që shkojnë për të sulmuar banorët e Rrjollit.
Aty ka nisur edhe sherri i madh ku janë përfshirë shumë persona nga të dyja palët, teksa njëri prej tyre, dyshohet djali i Fatmir Shpellzajt, ka mbetur i dëmtuar pasi është marrë për disa metra mbi kofanon e një makine, dhe më pas ka rënë.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, ka më shumë se 1 muaj që banorët e Rrjollit kërkojnë të drejtën e pronës së tyre, por jo vetëm që shteti nuk u ka dhënë asnjë përgjigje, por janë përballur edhe me dhunën fizike të policisë private.
Banirët e Rrjollit kërkojnë që kompania “Gener 2” e Bashkim Ulajt të mos bëjë asnjë punim deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata, por kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh, teksa as Bashkia e Shkodrës apo qeveria nuk ka denjuar t’u kthejë përgjigje.
Kronika e Televizionit Klan: