Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, e cila për Politico tha mes të tjerash se “Një tjetër element në luftën kundër korrupsionit, sidomos për vendet kandidate, është se ti mund të kesh legjislacionin më të mirë por nëse korrupsioni është i pranuar në ato vende, atëherë ka një problem tjetër“.
Në një reagim në rrjete sociale, Bardhi e cilëson të papranueshëm qëndrimin e komisioneres së BE-së, duke theksuar se ajo ka bërë përgjegjëse shoqërinë shqiptare për korrupsionin në vend.
Sipas Bardhit, përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës.
“SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete”- thotë Bardhi.
REAGIMI I PLOTË I BARDHIT
REAGIM I DETYRUAR!
I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.
Jo e nderuar znj. Komisionere;
Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar.
Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët – kartona në Kuvendin e Shqipërisë. SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete.
Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë. Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët.