Një takim i mbushur plot me tensione ka qenë ai mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.
Trump akuzoi Zelenskyn se po “luan kumar me Luftën e Tretë Botërore” dhe e drejtoi gishtin ndaj tij. Presidenti amerikan nuk la pa përmendur dhe paratë që Ukraina ka marrë nga paarardhësi i tij për këtë luftë, të cilit iu referua dhe me fjalë fyese.
“Ne ju dhamë nëpërmjet këtij presidenti budalla 350 miliardë dollarë, ju dhamë pajisje ushtarake… nëse nuk do të kishit pajisjet tona ushtarake, kjo luftë do të kishte përfunduar brenda dy javësh”.
Pas përplasjeve të forta, Zelensky është larguar nga Shtëpia e Bardhë ndërsa u anulua konferenca e përbashkët e shtypit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, konferenca është anuluar pas takimit të tensionuar të dy presidentëve në Zyrën Ovale. Donald Trump reagoi në Truth Social duke thënë se Zelensky mund të kthehet kur të jetë gati për paqe.
“Ne patëm një takim shumë domethënës sot në Shtëpinë e Bardhë. U mësua shumë që nuk mund të kuptohej kurrë pa biseda nën një zjarr dhe presion të tillë. Është e mahnitshme ajo që del përmes emocioneve dhe unë kam vendosur që presidenti Zelenskyy nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata. Nuk dua avantazhe, dua PAQE. Ai nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”,- shkruan Trump.
Dy presidentët pritej të nënshkruanin një marrëveshje për mineralet kritike, që do t’i jepte Shteteve të Bashkuara qasje të konsiderueshme tek mineralet e rralla të nëntokës ukrainase, por nuk përfshin dhënien e garancive të sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, një zhgënjim për Ukrainën.