Debate të forta në gjyqin ndaj Mediut, ish-ministri flet pas shtyrjes së seancës: Proces absurd, të bëhet akt ekspertim i ri

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu është shtyrë për më datë 17 korrik, ora 9:00. Për Mediun, i cili u ndal në një komunikim për mediat, tha se e gjitha është një situatë absurdi dhe se procesi për Gërdecin po shndërrohet në një “rrugë pa krye”.

Mes të tjerash, Mediu kërkoi që të bëhet akt-ekspertimi i ri që të përcaktojnë përgjegjësitë e ministrit në lidhje me këtë çështje.

Nuk ka interes për të vërtetën, mënyra si debatohet, si shqyrtohet çështja. U bë e disata herë. Të bëhet një akt ekspertimi i ri që të vërtetojë përgjegjësitë që ka ministri”, tha Mediu.

Seanca u shoqërua me debate të shumta, ku pati edhe një përplasje mes avokatit të Mediut, Ardian Visha dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Debatet ndodhën për shkak të pyetjeve që Visha u drejtoi 5 ekspertëve që përcaktuan dëmin ekonomik të shpërthimit në vitin 2008.  Tensioni kulmoi me urdhrin për nxjerrjen nga salla të avokatit të Mediut.

Rikujtojmë se nga shpërthimi në më 15 Mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.