Ka nisur me debate mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku po diskutohet kërkesa e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres së pezulluar, Belinda Ballukut.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se ka zvarritur më shumë se 2 muaj këtë çështje. “Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren”, është shprehur Bardhi.
Gjithashtu ai ka kërkuar që mbledhja të jetë me dyer të hapura, ndërsa për raste kur prokurori dëshiron të ndajë me Kuvendin një të dhënë që përbën sekret hetimor, atëherë dhënia e atij informacioni të bëhet me dyer të mbyllura.
“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje”, mësohet të jetë shprehur Gazment Bardhi.