Si qendron historia e pronave të Manastirit të Deçanit
Dhania e 24 hektarëve për kishën e Deçanit âsht rasti klasik i nji vendimi që natyrshëm zgjon hakërrim në baza etike, porse ligjërisht âsht i drejtë.
Ka pasë kohë ma shumë se njizet vjet për me e trashë vëllimshëm nji dosje shqiptare, së paku me e kuptue problemin shumëpërmasor të mëtimeve e kundërmëtimeve pronësore, por kurrënjiherë nuk âsht prodhue nji diçka, as sa të zitë e thonit, në natyrën e argumentit.
I vetmi version shqiptar ka qenë nji narracion prej sharlatanësh të cilin e ka luejtë me çikrik lleftizmi provincial në Kosovë. Fjalët e Albinit janë fjalët e Albinit, që mas vete nuk kanë as seriozitet, as dije e as përgjegjësi.
Nëse e rivizitojmë historinë e ndërmjet dy luftave botnore, tabloja që del âsht bukur interesante. Aty e kupton fuqinë e mrapshtë të cepave rustikë me prodhue dramë e intrigë e cila dikur, me fuqi orteku, na rekruton të gjithëve në psikozën e vet. Kështu, Mefistoteli i të keqes nuk âsht veç priftnia e manastirit, por janë po aq edhe fshatarësia e atyshme.
Fill mas Luftës së Parë Botnore, Serbia e përlindun si Mbretni serbo-kroato-sllovene e nismoi të ashtuquejtunën reformë agrare. Me fjalët e regjentit të asokohshëm Aleksandër për me e suprimue bujkrobninë dhe pronat e mdha, proklamata e famshme e 24 dhjetorit 1918 u përjetue si me rá gongu i çlirimit të madh për fshatarësinë.
Por, reforma nuk e kishte qëllimin këtu. Në “tokat e reja”, siç âsht quejt Sanxhaku, Kosova e Maqedonia, planifikuesit në Ministrinë Argare po e bânin hesapin n’gjeti: ideja ishte me i shkatërrue pronarët e mdhaj të tokave në Kosovë, hap ky që do ta lehtësonte dëbimin e shqiptarëve drejt Turkisë.
Kjo âsht arsyeja pse vetë Beogradi i ka nxit fshatarët “arnautë” me u dyndë drejt zyrave lokale që si çifçi me e fitue pronësinë e plotë mbi tokat që ligjërisht ishin të sahibive (“çifligarëve”).
Kështu u përhap si eshkë nji gjendje pragshpërthimi social midis mëtimeve kuturu të fshatarësisë dhe pronarëve të tokave. Paradoksalisht, shteti në këtë ngatërresë perfide e mbante anën e fshatarit kundër sahibiut.
Por kur kolonat e plisëbardhëve para zyrave agrare në rrethe po bâheshin të pafundme, dhe shteti nuk kishte qysh me i sprapsë tekqë vetë e proklamonte nenin 42 të Kushtetutës, atëherë këtë çâshtje e morën në dorë burokratët dallaverxhi të Drejtorisë Agrare në Shkup.
Me 1928, Gjorgje Kërstiqi nga kjo Drejtori e autoroi nji shkrim të gjatë me titull “Da li dobra manastira Visoki Dečani spadaju pod udar agrarne reforme” (A duhet manastiri i mirë i Deçanit me u goditë prej reformës agrare).
Pakashumë si sot, fesati bâhet mu për të njejtat toka në dalje të manastirit, në vendin dikur të quejtun Bivolak, drejt Isniqit.
Edhe në këto toka, të cilat manastiri i mëtonte si të vetat me precedentë edhe nga koha e turkut, pati plot banorë që i kërkuen si të vetat ato. Por, Kërstiqi e nulifikon mëtimin e tyne me nji manovër të shkathtë ligjore tu argumentue që statusi i çifçiut nuk vlente për tokën manastirore, por vetëm për çifligjet e sahibive.
Nji argument që e rândonte peshoren në dobi të manastirit ishte dhe fakti që po të njejtat toka, për dallim prej Isniqit, nuk ishin të nxânuna me ndërtime private, çka e bânte të besueshëm pohimin se ato ishin të kishës, porse kjo e fundit ia jepte kohëpaskohe me qira banorëve të anës. Edhe në kohë të turkut, fesatet për tokë zakonisht e nxirnin të fituem manastirin dhe jo ankuesit (këtë madje e bânin të ashtuquajtunat gjykata të sheriatit në Pejë).
Me 1855, Gjykata e Sheriatit në Pejë ia miraton ankesën manastirit të Deçanit kundër njifarë Demë Osmani prej Isniqi, i cili kishte ndërtue kullë midis livadheve e fushave të Bivolakut. Simbas vendimit të gjykatës, toka në fjalë ishte pjesë e vakëfit të kishës.
Raste si këto, të cilat janë dokumentue me përpikëni në arkivat e manastirit, kallxojnë sesi dosja e manastirit âsht spic me referenca e precedenta pozitivë sa i përket mëtimeve të veta tokësore. Në anën tjetër, dosja jonë âsht tabula rasa si trutë e nji idioti.
Në periudhën e mes dy luftave botnore, për arsye që merren me mend, manastiri i Deçanit i zgjenoi pronat e veta; fjala vjen, me 27 gusht 1927, Drejtoria e Naltë Agrare në Shkup ia jep manastirit pronat e 50 familjeve shqiptare të Isniqit, të cilat shpronësohen pa të drejtë apelimi. Deri në kapitullimin e Jugosllavisë me 1941, manastiri ishte bâ hisedar i 600 hektarëve tokë (shih Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova: historia e një aspirate, 2007, fq. 288).
Në periudhën e Mbretnisë së Shqipnisë nën kunorën savojane (1941-1943), gjykatat e reja shqiptare nisin me i rikthye pronat e konfiskueme. Me 1945 e këndej, pushteti i partizanëve jugosllavë i shtetëzon pronat manastirore e kishtare.
Sigurisht, kaleidoskopi i historisë pronësore te manastiri i Deçanit âsht fort ma i ndërlikuem e hektik sesa kaq, por rastet e naltpërmenduna dëshmojnë nji gjâ të thjeshtë.
Të dyja palët, hem manastiri e hem banorët, në rrethana të caktueme kanë uzurpue tokë. Manastiri këtë e ka bâ me ndihmën e autoriteteve lokale dhe qendrore jugosllave, por shpesh kanë veprue krye në vete edhe banorët lokalë me pretendime që jo gjithmonë i kanë vërtetue. Ka dallavere sa andej e sa këndej.
Kosova sot âsht nji truall i shëllirtë e distopik ku ka ngadhnjye përfundimisht albinkurtizmi: nuk ka nevojë as për ekspertë e as për shkencë sepse âsht kohë postfaktuale ku mjafton vetëm bindja që ki të drejtë morale. Tapija, argumenti dhe fakti nuk kanë pse me banue ksajde. Kaja nanën 🙁