Agjentët e Policisë Kombëtare spanjolle kanë shkatërruar në provincën e Valencias një bandë kriminale me origjinë shqiptare të dedikuar për kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në shkallë të gjerë dhe kanë arrestuar tetë persona, një grua dhe shtatë burra, nga 19 deri në 38 vjeç, si autorë të dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik droge dhe mashtrim me energjinë elektrike, shkruan media spanjolle ABC.
Gjatë hetimit u arrestua edhe një burrë për trafik droge, pasi kishte kryer një transaksion me organizatën kriminale duke blerë më shumë se 12 kilogramë sytha kanabisi. Agjentët kontrolluan gjithsej gjashtë objekte në pika të ndryshme të provincës së Valencias dhe shkatërruan tre plantacione kanabisi, duke sekuestruar 1.075 bimë në faza të ndryshme të lulëzimit, 33 kilogramë sytha kanabisi dhe materiale të shumta për kultivimin dhe përgatitjen e drogës për shpërndarje dhe shitje.
Hetimi nisi në vitin 2025
Hetimet, të kryera nga Njësia e Drogës dhe Krimit të Organizuar (UDYCO) e Valencias së bashku me Policinë Gjyqësore të komisariatit lokal të Xirivellës, nisën në qershor 2025, pasi u mor informacion se dy shtetas me origjinë shqiptare po merreshin me prodhimin dhe shitjen e kanabisit në sasi të mëdha.
Pas hetimeve të shumta, policia zbuloi dy objekte që përdoreshin për kultivimin e drogës, ku silleshin shtetas nga i njëjti vend për të punuar në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e plantacioneve.
Si funksiononte banda
Metoda e tyre ishte marrja me qira e banesave në zona të izoluara dhe larg qytetit për të instaluar struktura të sofistikuara, me pajisje të kushtueshme si drita LED me konsum të ulët, filtra karboni dhe ventilatorë ajri.
Hetuesit zbuluan se organizata përdorte dokumente false dhe persona të tretë për kontratat e qirasë dhe furnizimeve, për të shmangur identifikimin dhe lidhjen me aktivitetin kriminal.
Banda kishte strukturë të mirëorganizuar, përdorte shpesh automjete të ndryshme për të shmangur zbulimin dhe kishte disa objekte për të ndarë aktivitetet dhe burimet. Përgjegjësit e plantacioneve shkonin rrallë në banesa, vetëm për të çuar ushqim për personat që kujdeseshin për plantacionet, në mënyrë që të mos lidheshin drejtpërdrejt me to.
Arrestime dhe sekuestrime
Gjatë hetimeve, në qershor 2025, u arrestua edhe një shtetas polak që kishte blerë mbi 12 kilogramë kanabis për ta shpërndarë në vendin e tij. Në shtator të të njëjtit vit, policia kreu tre kontrolle në objekte të përdorura nga grupi, arrestoi dy persona dhe sekuestroi rreth 400 bimë kanabisi.
Në shkurt të këtij viti u kryen edhe tre kontrolle të tjera në Torás (Castellón), Puerto de Sagunto dhe Chiva (Valencia), ku u shkatërruan dy plantacione të tjera dhe u sekuestruan 700 bimë kanabisi, 20 kilogramë drogë e paketuar për shitje dhe dy automjete. U arrestuan gjashtë persona, përfshirë drejtuesit e grupit.
Katër në burg
Operacioni përfundoi me arrestimin e tetë anëtarëve të organizatës për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik droge dhe mashtrim me energjinë elektrike. Të arrestuarit, dy prej të cilëve me precedentë penalë, u dërguan para gjykatës dhe për katër prej tyre u vendos masa e paraburgimit