Erion Braçe e ka pranuar edhe publikisht se vendimi për të mos qenë pjesë drejtuese në qarkun e Fierit nuk ka qenë i tij, por i partisë.
Ai ka folur në emisionin “Shqipëria Live”, duke u shprehur se ka luftuar një javë për të mos e hequr nga Fieri, për shkak të marrëdhënieve që ka krijuar me njerëzit në zonën ku ai fitoi mandatin e deputetit, por në fund vendimi është marrë nga të tjerë.
Braçe u shpreh se nuk ka ende një “pse” nga ata që e kanë hequr, por shtoi se për të ka qenë shumë e vështirë për ta pranuar.
“Braçe nuk ka lënë gjë, në harkun e vetëm një jave nuk ka dashur të lëvizë nga zona e tij elektorale dhe ka një arsye, unë nuk jam nga ata deputetët që ndërron zonë elektorale, as për t’i ikur përgjegjësive të mia, as se nuk kam përmbushur përgjegjësitë e mia, nuk jam nga ata deputetë që ndërroj numër telefoni, kam të njëjtin numër që kam pasur në Berat qëkur kanë vendosur kompanitë, s’e kam ndërruar se kjo është marrëdhënia që kam me njerëzit.
Nuk kam një pse, ose kam një pse që natyrisht nuk më shkon që ta marr të mirëqenë. Pse-ja ime është shumë e thjeshtë, unë e kam shumë të vështirë t’i lë njerëzit në mes të rrugës, shumë e thjeshtë, e kam po kaq të vështirë që të fshij atë që është puna ime dhe të fillojmë një gjë nga e para. Është më shumë se sa një karrige. Ka qenë shumë e vështirë për ta pranuar, është e vështirë për të lënë njerëzit”, tha deputeti socialist.
Por çfarë ndodhi që u largua Erion Braçe nga qarku i Fierit?
Burime për mediat bënë me dije se ish-zv.kryeministri Erion Braçe ka patur një përplasje me strukturat e partisë në qarkun e Fierit.
Drejtuese politike në qarkun e Fierit është caktuar zv.kryeministrja Belinda Balluku, teksa nuk dihet nëse pakënaqësitë e Braçes kanë ardhur pas emërimit të saj. Kujtojmë se Erion Braçe është një nga deputetët më të zëshëm të mazhorancës, që herë pas here kritikon edhe publikisht punën e qeverisë.
Të tjera burime thonë se Erion Braçen nga Fieri e largoi Belinda Balluku, pasi kjo e fundit kërkon që të ketë bashkëpunëtorë në fushatë vetëm njerëzit e saj më të besuar, duke detyruar edhe Ramën që ta largojë Braçen nga zona ku kandidoi dhe fitoi mandatin e deputetit.