Alaska nuk do të ishte në listën e askujt si vendtakimi për një samit të rëndësishëm mes Presidentit të SHBA-së dhe atij të Rusisë. Megjithatë, pikërisht në shtetin më të madh dhe më të largët të Amerikës pritet të zhvillohet një nga takimet më të rëndësishme dhe potencialisht më ndikues të presidencave të Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Kjo është sidomos perspektiva nga Moska, ku propagandistët pro-Kremlinit janë entuziastë për përfitimet që ky takim kokë më kokë pritet t’i sjellë Putinit.
Një fitore për Putinin
Vetë fakti që një samit me presidentin amerikan po zhvillohet, konsiderohet një fitore e madhe për Kremlinin.
“Nuk po flitet më për izolimin ndërkombëtar të Rusisë apo për disfatë strategjike,” shkroi blogeri ushtarak pro-Kremlinit, Alexander Kots. Ai e cilësoi takimin në Alaskë si “një ngjarje që ka çdo shans të bëhet historike.”
Dhe ka gjasa që të ketë të drejtë. Një samit presidencial e vendos Putinin sërish në tryezën kryesore të diplomacisë globale, duke sfiduar kritikët dhe vendet që kërkojnë izolimin apo arrestimin e tij për krime lufte në Ukrainë.
Samiti në Alaska ka gjithashtu një simbolikë të fortë për nacionalistët rusë, të cilët ende e shohin këtë territor si pjesë të “tokës së humbur”. Alaska dikur ishte pjesë e Perandorisë Ruse, por iu shit Shteteve të Bashkuara në vitin 1867 për vetëm 7.2 milionë dollarë, një shumë që edhe atëherë u konsiderua e ulët. Vizita e Putinit në “Alaskën tonë”, siç u shpreh një prezantues i njohur rus në TV shtetëror, forcon më tej imazhin e tij nacionalist.
Në rrjetet sociale ruse, qarkullojnë me entuziazëm video ku Trump ngatërron vendndodhjen e samitit, duke thënë se do të shkojë “në Rusi” për të takuar Putinin, një lapsus që shumë e quajtën si një “pranim” të sovranitetit rus mbi Alaskën.
Çështja e Ukrainës në plan të dytë?
Ndërkohë, për pjesën tjetër të botës, fokusi i vetëm i këtij samiti është lufta në Ukrainë dhe nëse Rusia është e gatshme të bëjë ndonjë kompromis për t’i dhënë fund konfliktit. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Trump pritet të fokusohet kryesisht në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Të mërkurën, pas një bisede me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë evropianë, Trump paralajmëroi “pasoja shumë të rënda” nëse Putin nuk bie dakord për një marrëveshje paqeje. Por deri tani, Kremlini nuk ka treguar asnjë shenjë kompromisi. Përkundrazi, Putin thuhet se ka ritheksuar synimin për të “adresuar shkaqet rrënjësore të konfliktit,” një referencë ndaj pretendimeve historike të Rusisë kundër ekzistencës së një shteti sovran ukrainas dhe zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.
Propozimi i Moskës: Tokë për paqe
Mediat raportojnë se para samitit në Alaska, Rusia i ka bërë një ofertë paqeje një të dërguari amerikan, Steve Witkoff, ku propozohet që Ukraina të heqë dorë nga rajoni i Donbasit në këmbim të një armëpushimi. Kjo ide është refuzuar menjëherë nga presidenti Zelensky, i cili deklaroi:
“Nuk kam të drejtë ta dorëzoj vendin tim. Nëse largohemi nga Donbasi, i hapim rrugën një sulmi të ri rus.”
Sidoqoftë, Trump duket se e sheh me interes këtë formulë “tokë për paqe”, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Ukraina dhe aleatët evropianë. Një ndryshim i tillë në qëndrim i jep Putinit mundësinë ta paraqesë veten si të gatshëm për paqe, duke e fajësuar Ukrainën dhe BE-në si penguesit e vërtetë të procesit.
Nëse Trump do të ndërpresë ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës me Ukrainën – siç ka kërcënuar në të kaluarën, Kievi do ta ketë shumë të vështirë të vazhdojë rezistencën, edhe me mbështetje evropiane.
Loja e Putinit
Shtëpia e Bardhë ka zbutur pritshmëritë, duke e përshkruar samitin si një “ushtrim dëgjimi.” Por për Putinin, kjo mund të jetë më se e mjaftueshme.
Sipas Uashingtonit, ishte vetë Kremlini që kërkoi samitin, ndoshta për të shtyrë sanksionet apo tarifat e reja që Trump kishte paralajmëruar. Po ashtu, Putin ka lënë të kuptohet se mund të ofrojë një marrëveshje për armët bërthamore si pjesë e diskutimeve.
Përtej Ukrainës, Putin sheh në Trump një mundësi unike për të rindërtuar marrëdhëniet me SHBA-në, duke i ndarë ato nga fati i Ukrainës, dhe kësisoj, për të përçarë aleancën perëndimore.
Pjesëmarrja në delegacionin rus e Kirill Dmitriev, emisari ekonomik kryesor i Kremlinit dhe një ndër ndërmjetësit kryesor me administratën Trump, tregon se në tryezë mund të diskutohen edhe marrëveshje të mëdha ekonomike, teknologjike dhe energjetike – përfshirë në Arktik.
Nëse Putini ia del të vendosë tonin në këtë samit, çështja e Ukrainës mund të reduktohet në thjesht një temë diskutimi mes shumë të tjerash, dhe jo më ajo më urgjentja./CNN