Nuk dihet se çfarë duhet të zbulojë më shumë SPAK për aferat e Belinda Ballukut, që kryeministri Edi Rama ta shkarkojë nga të gjitha postet që ka në qeveri dhe në Partinë Socialiste.
Pas një mbledhje më shumë se 7 orë në Kryeministri ditën e djeshme, kreu i qeverisë dhe zëvendësja e tij e pezulluar dhe e pandehur në SPAK, ranë dakort që çështjen ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese, si shpresa e fundit që Balluku të qëndrojë ministre e të fillojë të pastrojë provat që SPAK ende nuk i ka zbuluar.
Ditën e sotme në konferencën me Komisioneren Marta Kos, kryeministri jo vetëm që u bë mburojë për Ballukun, por shkeli mbi të gjitha herët që ka deklaruar se nuk do të komentojë vendimet e drejtësisë dhe nuk do të dalë kundër SPAK-ut dhe GJKKO-së.
Por, a është kjo “luftë” me drejtësinë e re vetëm për Belinda Ballukun?
Sigurisht që jo! Nuk ka asnjë dyshim se Rama është i përfshirë në të gjitha aferat e mëdha korruptive të ministrave të tij, nga inceneratorët e deri te tuneli i Llogarasë, pasi asnjë tender nuk jepet pa kaluar më parë në zyrën e tij.
Dërgimi i çështjes “Balluku” në Kushtetuese është një parapërgatitje e Edi Ramës në rast se SPAK e vendos atë nën akuzë dhe GJKKO vendos që ta pezullojë nga detyra, siç ndodhi me zëvendësen e tij.
Belinda Balluku nuk do të jetë asgjë tjetër veçse testi se çfarë qëndrimi mban Gjykata Kushtetuese në çështje të tilla. Në rast se lihet në fuqi vendimi i GJKKO, atëherë me shumë gjasë, Rama do të fillojë të përdorë Komisionet e Posaçme për t’i lidhur duart SPAK, ashtu siç tentoi me Komisionin “Xhafaj”.
Por këtë herë nuk është kaq e thjeshtë, pasi SPAK tregoi me Ballukun se i ka shkuar shumë afër Ramës, duke thyer mitin e pandëshkueshmërisë për zv.kryeministren.
Pasi janë arrestuar deputetë, kryebashkiakë, ministra, e tashmë nën akuzë edhe zv.kryeministrja, hierarkia e pushtetit e kërkon që i radhës në SPAK të jetë vetë ai, Edi Rama. Dhe çështjet për të cilat duhet të dëshmojë, janë të shumta.
Ndoshta ka ardhur koha që pas 12 vitesh qeverisje të mbushura me skandale dhe afera, përpara drejtësisë të përgjigjet ai që ka patur pushtetin absolut dhe vendimmarrjen mbi gjithçka. SPAK-ut i ka ardhur koha të ngrihet në një tjetër nivel!