Erion Braçe hodhi kritika të forta ndaj ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, i cili duket se po i shmanget interpelancës së kërkuar nga deputeti socialist.
Braçe tha se sot ministri duhej të ishte në sallë, dhe jo të dalë nga agjenda. Socialisti tha se i janë dashur 6 javë të marrë informacion për produktet ushqimore, ndërsa tani i duhen edhe 6 javë të tjera për të folur me ministrin.
“Kush bën një deklaratë në këtë sallë, duhet të mendojë dhe për ekonominë. Paniku që përhapet në të tilla raste, godet ekonominë. Punën e tyre dhe të ardhurat e shqiptarëve. Duhet të ketë përgjegjshmëri në këtë sallë, këto duhet të diskutohen në komisione, me dyer të hapura dhe të mbyllura. Dhe atje për mos të shkaktuar panik me pasoja mbi ekonominë e shqiptarëve, apo me turizmin. Kërkoj prej shkurtit interpelancë me ministrin e Bujqësisë. Tre javë më parë pranova argumentin që ministri është në Bruksel, edhe për shkak të angazhimeve që është në BE. Sot më thonë se ministri është në Kosovë. Por nuk mendoj se kjo është arsyeje. Në këto momente mund të lëvizë ministri i Jashtëm, i Mbrojtjes, por ai i Bujqësisë duhet të jetë këtu, të përgjigjet për vendin. Nuk duhet të dalë nga agjenda siç e kërkon një ministër. Nuk duhet të ndodhë më kjo gjë. Më janë dashur 6 javë që të marr informacion, tani më duhen 6 javë që të flas me ministrin.”, tha ai.