Bordi i Transparencës njofton çmimet e reja të karburanteve në vend.
Prej orës 14:00 të kësaj të shtune, nafta do të tregohet me 183 lekë për litër, 5 lekë më pak se mbledhja e fundit e Bordit.
Ndërkohë, për benzinën, Bordi ka vendosur që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të jetë 170 lekë për litër.
Sipas vendimit, çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në vendimmarrjen e radhës.
Njoftimi:
Bordi i Transparencës në mbledhjen e datës 13 qershor 2026 ka vendosur çmimet e reja të shitjes së karburanteve në vend, të cilat hyjnë në fuqi në orën 14:00 të së njëjtës ditë dhe do të mbeten në fuqi deri në vendimmarrjen e radhës.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 është përcaktuar jo më shumë se 183 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 171 lekë për litër.
Po ashtu, çmimi i shitjes me pakicë i benzinës është caktuar jo më shumë se 170 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 158 lekë për litër.
Bordi thekson se këto çmime do të jenë të detyrueshme për të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve në vend, duke kërkuar zbatimin e plotë të vendimit nga subjektet e shumicës dhe pakicës.
Në njoftim paralajmërohet gjithashtu se në rast shkeljesh të konstatuara, do të merren masa administrative, përfshirë pezullimin e aktivitetit të operatorëve që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.
Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të monitorojnë tregun me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Vendimi vjen në kuadër të mekanizmave të rregullimit të tregut të karburanteve dhe transparencës së çmimeve në vend.