Bllokimi i 112 milionë eurove ndihmë nga IPARD, Shehaj: Frida Krifca u kërkonte përqindje fermerëve

Deputeti Agron Shehajka folur sot në Kuvend për bllokimin që Bashkimi Europian i bëri 112 milionë eurove ndihma nga programi IPARD për fermerët shqiptarë, për shkak të korrupsionit në vendin tonë dhe vjedhjes që iu është bërë fondeve të mëparshme.

Ai foli me emra, ku akuzoi ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifcën, e cila më herët ishte drejtuese e AZHBR-së, se iu kërkonte përqindje fermerëve nëpërmjet një zyre konsulence në Tiranë.

Shehaj u shpreh se qeveria i grabit edhe paratë e falura nga Bashkimi Europian për fermerët, me këta të fundit që humbën mundësinë për të investuar në fermat e tyre dhe tashmë duhet të përballen edhe me falimentim.

Pjesë nga fjala e Shehaj:

Para 3 ditësh, në datën 21 Qershor, Bashkimi Europian bllokoi 112 milionë euro ndihma, pjesë të programit IPARD, para që do shkonin tek fermerët si ndihmë financiare.

Bashkimi Europian ka vendosur të bllokojë këto ndihmat sepse zbuloi se 33 milionë euro të dhënë më përpara, pjesë te Ipardit, janë vjedhur nga ish drejtoresha e AZHBR-së, ish ministrja e Bujqësisë dhe këshilltarja aktuale e kryeministrit të Shqipërisë, Frida Krifca.

Sipas OLAF, Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian, paratë e taksapaguesve europianë, në vend që të shkonin tek fermerët shqiptarë, AZHBR-ja, e cila në atë kohë drejtohej nga ish ministrja dhe këshilltarja aktuale e kryeministrit, u kërkonte përqindje përmes një studio konsulence në Tiranë.

Praktikisht merrte përqindje për ndihmat. Pasi përzgjidhte se kush do fitonte, atyre u merrte një përqindje.

Këtë nuk po e them unë. Këtë e thotë investigimi i OLAF. Dhe pas këtij investigimi, Bashkimi Europian vendosi të bllokojë ndihmat. Me pak fjalë, edhe para të falura nga Bshkimi Europian që qeveria duhet të shpërndante tek fermerët, këta i zhdukin dhe i marrin për vete.

Praktikisht fermerët humbën 112 milionë euro. Humbën mundësinë që të investonin në fermat e tyre, që të rrisin biznesin,  të ardhurat e tyre. Pse?! Sepse qeverisen nga qeveritarë të korruptuar dhe të pangopur, që kanë vetëm një qëllim; të pasurohen dhe të mbajnë pushtetin me çdo kusht.