Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka kallëzuar penalisht deputetin demokrat Bledion Nallbati.
Denoncimi vjen pasi Nallbati tentoi të godasë me grusht deputetin socialist Vullnet Sinaj gjatë mbledhjes së Kuvendit ditën e hënë.
Në seancën plenare, opozita kërkoi të bllokojë punimet e Kuvendit, por Sinaj mori fjalën dhe filloi të flasë. Në këtë moment, Nallbati i afrohet dhe në fillim i heq kartën e deputetit, ndërsa më pas mes tyre nisi edhe një konfrontim fizik.
Duhej ndërhyrja e Gardës së Republikës dhe deputetëve të tjerë që sherri të mos vijonte, ndërkohë që të dy deputetët kanë deklaruar se ajo që ndodhi nuk i shërben asnjërit. Vetë Sinaj u shpreh se e ka falur Nallbatin dhe nuk do e denonconte, por kallëzimi ka ardhur nga kreu i grupi të PS-së.
“Sot, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste firmosa kallëzimin penal për deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sinaj.
Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do te tolerojmë asnjë akt dhune dhe refuzojmë këdo që e konsideron dhunën si mundësi për të shprehur mospajtimin.
Ftojmë organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t’i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit në Parlament”, shkruan Bledi Çuçi.

