Agjentë të BKH-së, të shoqëruar nga patrulla të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontrolle në banesat dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit. Emri i tij u bë i njohur 1 vit më parë, pasi ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, e cilësonte Ergys Agasin si një nga ndërmjetësit e kryeministrit Rama me mafian dhe trafikantët e drogës.
Burime për mediatt thonë se agjentët e BKH-së, të urdhëruar nga prokurorët e SPAK, kanë kryer sot kontrollin e banesave në Durrës dhe Tiranë si dhe vendeve të biznesit që zotërohet nga biznesmeni, Ergys Agasi.
Biznesmenit Agasi po me vendim gjykate i është sekuestruar telefoni për llogari të disa hetimeve që po ndjek Prokurori Bledar Maksuti.
Ende nuk dihet me saktësi se për çfarë hetimi bëhet fjalë dhe arsyet e këtyre kontrolleve, por gjatë ditës së sotme BKH është vënë në zbatim të një vendimi gjykate.
Ndërkohë burime jo zyrtare konfirmuan se në këtë çështje ka pasur dhe urdhër-arreste, por ende nuk dihen detaje të tjera nga ky operacion.
Por kush është Ergys Agasi?
Ergys Agasi është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, ky i fundit ish-Sekretari i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Pavarësisht se i ati ishte socialist, në skenën politike Ergys Agasi u fut nga LSI e drejtuar nga Ilir Meta.
Ai mori postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, atëherë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, ndërsa sot në burg me dy dënime nga GJKKO për aferën e inceneratorëve.
Gjatë kohës që ishte në krye të Inspektoriatit të Mjedisit, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta miqësie me Alqi Bllakon, pasi me babanë e ish-deputetit socialist ka edhe një kompani, “EA LOGISTOCS”, me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave mallrave.
Agasi dha dorëheqjen nga posti në shtator të vitit 2017, kur koalicioni mes PS-së dhe LSI-së ishte prishur. Por, e ardhmja e tij nuk do të ishte më pranë Ilir Metës, pasi ai do të rikthehej sërish në Partinë Socialiste.
Emri i Ergys Agasit u bë i njohur në media pas intervistës së Arben Ahmetajt për televizionin italian, Rai3 ku hodhi akuza të forta për kryeministrin Edi Rama dhe lidhjet që ai pretendon se kreu i qeverisë ka me krimin e organizuar. Sipas tij këto lidhje koordinohen nga Ergys Agasi.
“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias” – shprehej Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.