Biznesmeni i njohur, Klodian Allajbeu është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme. Mësohet se Allajbeu ka qëndruar për rreth dy orë brenda ambienteve të SPAK, ndërsa nuk dihet çështja për të cilën është thirrur nga prokurorët e posaçëm.
Por burime jo zyrtare për mediat bëjnë me dije se Allajbeu është thirrur lidhur me koncesionet në shëndetësi, konkretisht atë të koncesionit të laboratorëve dhe dializës, të cilat u përjashtuan nga hetimi parlamentar.
Ndërkohë emri i tij doli edhe në dosjen e kryebashkiakut, Erion Veliaj ku bashkë kanë udhëtuar drejt Kinës.
Më herët gjatë ditës së sotme u paraqitën në SPAK, ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi dhe kreu i PSD-së, Tom Doshi. Ky i fundit tha për gazetarët se u pyet për zgjedhjet në Rrogozhinë në vitin 2023, duke shpjeguar se një nga personat që ka takuar gjatë një takimi elektoral ka qenë në përgjim nga ana SPAK.
Doshi tha se bëhet fjalë për një hetim për kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla.