Shkencëtarët kanë zhvilluar një bioprinter 3D me madhësinë e një makine kafeje, i cili prodhon inde të ngjashme me ato njerëzore, për të cilën ata shpresojnë që mund të shpejtojë zhvillimin e trajtimeve të reja për sëmundje si ato të zemrës dhe artritit.
Teknologjia, e njohur si Reactive Jet Impingement (ReJI), përdor dy lëngje të ndryshme, një solucion polimeri dhe një që përmban qeliza të pezulluara në një solucion.
Këto shpërndahen dhe përzihen në ajër për të krijuar një hidroxhel të mbushur me qeliza që mund të printohet mbi çdo sipërfaqe.
Metoda rrit densitetin e qelizave me rreth 10 herë më shumë se teknologjitë e tjera të bioprintimit, duke prodhuar inde që janë shumë më afër modeleve njerëzve.
Projekti u drejtua nga Kenny Dalgarno, profesor i prodhimit dhe inxhinierisë në Universitetin e Newcastle.
Ai tha se “zbulimi i ilaçeve është një proces i ndërlikuar dhe jashtëzakonisht i kushtueshëm, që përfshin disa faza testimi përpara se të arrijnë provat klinike.
Në hetimet klinike, vetëm një në 10 nga përbërësit e testuar arrin të dalë në treg. Këto norma dështimi tregojnë qartë se duhet të përmirësojmë modelet tona, në mënyrë që ato të reflektojnë më saktë reagimin e tyre te njerëzit”.
Një fazë e zhvillimit të ilaçeve është testimi i kulturave të qelizave të rritura në laborator, të cilat zakonisht rriten në një sipërfaqe të sheshtë.
Megjithatë, printimi i qelizave në 3D mund t’i bëjë testet më të sakta.
Dalgarno shtoi se “aktualisht ka shumë interes për një zhvillim më të mirë të modeleve in vitro të sëmundjeve dhe indeve, për të pasur mundësi më të mira për të testuar barnat”.
Studiuesit kanë krijuar kompaninë Jetbio, për të tërhequr investime dhe për të nxjerrë në treg printerin ReJI në mbarë botën.