Ish-presidenti Clinton doli nga një spital në Uashington të martën pasi u trajtua për grip, tha zëvendës shefi i kabinetit të tij në një publikim në rrjetin social X. Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë, sot 78 vjeç, u shtrua në spital të hënën në Qendrën Mjekësore të Universitetit Georgetown me ethe, tha zoti Angel Urena.
“Ai mbetet në gjendje të mirë dhe e vlerëson thellësisht kujdesin e shkëlqyer që mori”, tha zoti Urena. Politikani nga Partia Demokrate që ka shërbyer si President për dy mandate nga janari i vitit 1993 deri në janarin e vitit 2001, gjatë verës mbajti fjalim në Kongresin Kombëtar të partisë në Çikago. Ai gjithashtu bëri fushatë për kandidaten demokrate për President Kamala Harris për zgjedhjet e 5 nëntorit.
Përgjatë viteve, pasi përfundoi detyrën si President, zoti Clinton është përballur me disa probleme shëndetësore.
Në vitin 2004 iu nënshtrua një operacioni në zemër pasi përjetoi dhimbje në gjoks dhe probleme në frymëmarrje. Zoti Clinton u shtrua sërish në spital për një ndërhyrje në mushkëri në vitin 2005, ndërsa në vitin 2010 ai pati një operacion tjetër ku iu vendosën tuba për të mbajtur hapur arteriet e zemrës.
Ish Presidenti Clinton vendosi më pas t’i përmbahet një diete kryesisht vegane që rezultoi me humbje në peshë dhe përmirësim të shëndetit. Në vitin 2021 ish Presidenti qëndroi në spital për gjashtë ditë në Kaliforni pasi u trajtua për një infeksion që nuk kishte të bënte me COVID-19, pavarësisht se pandemia globale ishte ende në pikun e saj.
Një këshilltar i ish-Presidentit tha atëherë se zoti Clinton kishte një infeksion të traktit urinar që iu përhap në gjak, por ishte në shërim dhe se nuk iu rrezikua jeta. Këshilltari tha se ish Presidenti Clinton, ishte në një repart të kujdesit intensiv të spitalit atë kohë, por nuk po merrte trajtim si pacient i terapisë intensive./ VOA