Barra e sëmundjeve po rritet me plakjen e popullsisë dhe stilin e pashëndetshëm të jetesës. Nga ana tjetër, trupa mjekësore në dispozicion po tkurret me shpejtësi, pasi gjithnjë e më shumë profesionistë që shkollohen në vend zgjedhin të ushtrojnë profesionin jashtë, kurse numri i atyre që dalin në pension po rritet.
Çdo vit, rreth 3% e mjekëve dalin në pension, afërsisht 140, ndërsa diplomohen 250 mjekë të përgjithshëm. Një pjesë e mjekëve të diplomuar ikin jashtë vendit dhe ngelen shumë pak për të mbushur hapësirat e krijuara ose për të përmirësuar raportin mjek për banor, thotë Gazmend Koduzi, ekspert i politikave shëndetësore.
Aktualisht, në Shqipëri, janë të punësuar në sektorin publik 1.9 mjekë për 1000 banorë, një standard shumë më i ulët se Rajoni i Ballkanit, ku ky tregues është 2.6 dhe në vendet e zhvilluara, 3.6. Teksa situata po përkeqësohet, qeveria po synon të vërë në punë disa mekanizma “detyrues” për studentët në Fakultetin publik të Mjekësisë.
Një projektligj që po diskutohet në Kuvend synon të fusë instrumentin e kontratës për studentët në Fakultetin publik të Mjekësisë.
Projekti parasheh se studentët duhet të punojnë deri në pesë vite pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, në të kundërt ata do duhet t’i paguajnë vetë studimet të cilat janë rreth 6300 euro në vit, ose rreth 38 mijë euro për të gjithë periudhën 6-vjeçare të studimeve. Ata që do të pranojnë kontratën, përjashtohen nga tarifat e studimeve.
Mirëpo, ekspertë të sektorit, vërejnë se qeveria ka ende shumë hapësira për të përmirësuar në sistemin shëndetësor, pa shkuar te kontratat, të tilla si pagat për stafet në shëndetësi, përmirësimi i kushteve të punës, meritokracia në karrierë dhe mbrojtja ligjore.
Në prag të zgjedhjeve lokale, qeveria shpalli nismën për dyfishimin e pagave në sektorin publik, por pas përfundimit të tyre, pagat u dyfishuan për ministrat dhe deputetët. Për sektorin e shëndetësisë, rritja reale ishte vetëm 2%. Vetëm mjekët e specializuar, që janë shumë të pakët në numër, patën rritje deri në 80%.
Faktorët e largimit të mjekëve nga Shqipëria janë shumë kompleks, thotë Fatmir Ibrahimi, president i Urdhrit të Mjekut. Më shumë se sa paga, ikin nga kushtet më të mira të punës që krijojnë një mundësi për karrierë dhe mbrojtje ligjore më të mirë.
“Duhet të ndahet me ligj gabimi në mjekësi, nga neglizhenca në mjekësi dhe për mbrojtjen e mjekëve nga dhuna”, – thotë z. Ibrahimaj, i cili vë në dukje se ka ende shumë hapësira për të përmirësuar mjedisin e punës në vend.
Imponimi i kontratës te studentët në fakultetin publik rrezikon që të krijojë një efekt bumerang, pasi shumë prej studentëve po mendojnë të transferojnë studimet në sistemin privat.
Me aplikimin e kontratës, interesi i të rinjve për Fakultetin publik të Mjekësisë do të ulet, rrjedhimisht edhe mesatarja e studentëve që do të pranohen në fakultet vitin e ardhshëm, duke ulur kështu nivelin e ekselencës në mjekësi, tha Juri Taullau, student i mjekësisë.
“Në qoftë se një qytetar ka të drejtën të emigrojë, pse jo dhe ne? Në qoftë se një student i çdo dege tjetër ka të drejtën të emigrojë, pse jo dhe ne? Shqipërisë nuk i mungojnë veç mjekë, i mungojnë inxhinierë, arkitektë, hidraulikë, elektricistë e me radhë” – tha i riu.
Kontratat me studentët janë instrumente që i kanë përdorur edhe vende të tjera. Britania e Madhe po diskuton një opsion të tillë, madje anketat atje kanë treguar se 50% e studentëve në fakultetet e mjekësisë do të pranonin të punonin pas studimeve në vendin tyre.
Kudo në botë ka një hendek në trupën mjekësore, mjekë dhe infermierë, por fenomeni u thellua pas pandemisë. Në Europë humbën jetën rreth 50 mijë mjekë dhe infermierë, kurse mijëra të tjerë lanë profesionin. Tani mijëra mjekë kërkohen nga vende të tilla si Gjermania, Britania, Italia, SHBA-ja etj., të cilat shërbejnë si magnet për tërheqjen e mjekëve nga vende si Shqipëria.
Pse mjekët “refuzojnë” Shqipërinë, gjysma nuk ikin për pagën
Burimet njerëzore në Shqipëri ende nuk po trajtohen si kapital, ndonëse në disa sektorë, si shëndetësia, janë thuajse kapitali kryesor. Numri i mjekëve për banorë mbeti i ulët dhe pagat ndaj stafeve mjekësore të ulëta gjithashtu, kapacitetet spitalore janë të kufizuara dhe ende gjenden pajisje mjekësore që bota i mban në muze.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2021, paga mesatare mujore bruto në shëndetësi ishte 678,321 lekë në vit, një nivel më i ulët se në sektorin e arsimit, në një kohë që vitet e shkollimit të një mjeku janë më shumë së dyfishi i një mësuesi. Ministria Shëndetësisë pranon se situata me burimet njerëzore është kritike për shkak të mungesave zinxhir në të gjithë sektorin.
Në dokumentin “Drejt një vendi të shëndetshëm me njerëz të shëndetshëm”, qeveria vë në dukje se stafi i kujdesit shëndetësor nuk trajtohet si duhet për punën që kryen dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional është inekzistent për shumicën e mjekëve. Një inspektim vlerësimi në Spitalin e Durrësit gjeti se vetëm 63% e të gjithë stafit të institucioneve shëndetësore ishin për sëmundjet diarreike dhe për infeksionin respirator akut.
Situata ishte më e keqe në zona të tjera, me vetëm 18.75% të mjekëve në Elbasan që kanë trajnimet duhura. Rreth 1028 mjekë kanë emigruar nga vendi dhe përbëjnë 22% të stokut të mjekëve në Shqipëri prej 4745 doktorësh thuhet në studimin e fundit të Profesorëve Ilir Gëdëshi, Russell King dhe Amarildo Çeka, sipas të cilit ata që emigrojnë janë elita e studentëve të mjekësisë. Fenomeni i largimeve mori përmasa të larta gjatë dekadës së fundit.
Rreth 62% e të diplomuarve në mjekësi në 2018-2022 përgatiten të largohen. Studimi, i cili u bazua në një anketë me 4745 mjekë, gjeti se faktori ekonomik shtyn 50.6% të mjekëve drejt emigrimit, por të ardhurat nuk janë faktori kryesor që i bën mjekët e rinj të migrojnë.
Grupi i dytë më i rëndësishëm i faktorëve të shënuar nga të anketuarit në anketë ishte i lidhur me arsimin, kryesisht studimet e tyre arsimore në fushën e mjekësisë, ose vazhdimi në një pistë më të specializuar dhe të avancuar.
Një pjesë e vogël (4%) nënvizon rëndësinë e arsimimit jashtë vendit për fëmijët e tyre. Familja dhe shëndeti gjithashtu marrin përqindje të vogla të arsyeve nga të anketuarit, përkatësisht 6.6% dhe 2%.
Më interesantë janë faktorët e grupuar në kategorinë “arsye të tjera” që përbëjnë 14% të totalit të faktorëve, ku me më ndikim janë shprehjet “Nuk ka të ardhme në Shqipëri”,(6.4%) dhe “Nuk më pëlqen të jetoj në Shqipëri” (2,8%).
Ekziston një përshtypje e përgjithshme në mesin e popullsisë shqiptare dhe veçanërisht në moshat e reja dhe më të arsimuara, se emigracioni është e vetmja rrugëdalje nga një jetë e vështirë, e pakënaqshme dhe frustruese në Shqipëri.
Z. Koduzi thotë se qeveria ka një përqasje të gabuar ndaj studentëve që mbarojnë Fakultetin e Mjekësisë. Qeveria duhet të bëjë politikat e duhura për mbajtjen e mjekëve në vend, dhe për këtë ka nevojë për politika bazuar në evidenca.
Sipas tij, fillimisht qeveria duhet të marrë në konsideratë arsyen përse ikin mjekët shqiptarë. Studimet kanë treguar se mjekët ikin nga Shqipëria, për arsye ekonomike, të ardhura më të mira, zhvillimi profesional, karrierë shkencore, status social, mjedis më i mire punë, zbatimi i njohurive në praktikë, etj. Përqasja më e mirë është delegimi i këtyre problemeve, motivimi i mjekëve të qëndrojnë, dhe jo marrja e vendimeve me mendësi komuniste, duke i detyruar, tha më tej eksperti.
Por, për të deleguar arsyet e ikjes së mjekëve, qeveria duhet të bëjë reformë të thellë në sistemin shëndetësor: duke filluar me menaxhimin dhe funksionimin e institucioneve shëndetësore; financimin e tyre bazuar në metoda incentivuese në spitale dhe për mjekët e familjes; krijimin e hapësirave për karrierë profesionale dhe shkencore, duke hequr monopolin e krijuar nga disa familje në universitetin mjekësor.
“Kontrata e studentëve”, instrument i forcës që mund të kthehet në bumerang
Nevojat e mëdha për mjekë në tregun punës kudo në botë po nxisin institucionet arsimore të investojnë në këtë drejtim. Por për shkak se studimet në mjekësi kërkojnë kapacitete njerëzore dhe logjistikë, hapja e degëve në mjekësinë së përgjithshme është praktikisht e vështirë në sektorin privat.
Aktualisht, rreth 250 – 300 mjekë të rinj diplomohen në Fakultetin publik të Mjekësisë dhe rreth 50 në fakultetin privat “Zonja e Këshillit të Mirë”. Vitet e fundit janë dhënë në këtë drejtim një seri licencash, por ende nuk ka universitete private që ofrojnë studime të plota në mjekësinë e përgjithshme.
Juri Taullau, student i mjekësisë, thotë se ligji që parasheh kontratën është antikushtetues, sepse bie në kundërshti me të drejtat dhe liritë themelore të individit. Çdokush është i lirë të arsimohet dhe të punësohet me dëshirën e tij.
Taullau citon se sipas nenit 57, universiteti ka autonomi në vendimmarrje që i takojnë atij dhe qeveria dhe Ministria nuk duhet të ndërhyjnë. Studenti tha se cenohet lëvizja e lirë qoftë kjo në aspektin e emigrimit, qoftë në aspektin e migrimit.
“Nga ana tjetër, ne nuk jemi në gjendje emergjence, pasi cituar nga vetë ministrat “Ne po përpiqemi të parandalojmë atë që mund të ndodhë në të ardhmen”, pra në një situatë të tillë s’ka pse të merret një masë e tillë drastike që suprimon interesat tona legjitime, kur mund të përdorën masa dhe politika të tjera, që t’i ftojnë mjekët dhe jo t’i detyrojnë ata këtu.
Ne nuk duam të detyrohemi, ne duam të jemi të lirë në zgjedhjet tona ashtu sikurse çdo individ tjetër i kësaj bote” tha ai. Kjo masë, sipas tij, rrezikon të kthehet në bumerang, pasi interesi i të rinjve do ulet, rrjedhimisht edhe mesatarja e studentëve që do të pranohen në fakultet vitin e ardhshëm, duke ulur kështu nivelin e ekselencës në mjekësi.
Mbi të gjitha, mjekësia është shkencë dhe lëvrimi i saj ende është shumë larg zhvillimeve të kohës në fakultetin publik, pohojnë studentët.
Me masat e fundit të qeverisë, Fakulteti i Mjekësisë në Shqipëri ka gjasa të konkurrohet nga vendet e tjera. Universitetet publike në Gjermani ofrojnë një tarifë studimi për studentët jashtë BE-së 1,500 € për semestër në degët e mjekësisë.
Qeveria ka sqaruar në projektligjin që parashikon kontratën me studentët e mjekësisë se nuk janë cenuar parimet e sigurisë juridike, pasi respektohet vullneti i lirë i çdo kandidati, apo studenti për të vendosur vetë nëse do të përfitojë nga të drejtat e përcaktuara në këtë ligj, me nënshkrimin e marrëveshjes apo në të kundërt të përballojë tarifën e studimeve deri në nivelin e kostos së tyre.
Shumë prej studentëve që vazhdojnë mjekësinë janë të zhgënjyer, pasi ambientet e studimit dhe kurrikula nuk ofrojnë zhvillimet bashkëkohore nga shkenca. Mjekësia kryesisht është shkencë në evoluim dhe kërkon përmirësim të vazhdueshëm më kurrikula dhe në teknologji.
“Mjediset dhe logjistika e mësimdhënies nuk janë të përshtatshme” thotë Taullau. Të tjerë kanë rezerva për seriozitetin e mësimdhënies.
“Me dhjetëra orë mësimi nuk zhvillohen fare, pasi mjekët zakonisht janë të zënë dhe kërkimi i vërtetë shkencor mungon totalisht. Ajo që unë po përfitoj këtu as nuk krahasohet me atë që po përfton në Turqi shoqja ime e ngushtë e gjimnazit” tha, L. H., një studente tjetër e mjekësisë.
Shumë studentë, edhe pa kontratën, po mendonin të transferonin studimet jashtë vendit, për shkak se janë zhgënjyer nga infrastruktura që ofrohet. Shqipëria ka një numër të vogël mjekësh, të cilët janë shumë të ngarkuar në rutinën e tyre të punës. Shumë prej tyre punojnë në kohë të pjesshme në privat, duke lënë shumë shpesh studentët pa mësim.
Specializimi gjithashtu luan një rol kyç. “Në Gjermani, kur një mjek fillon punën, automatikisht nis specializimi. Një aspekt tjetër është teknologjia, pajisjet të përdorura, metoda të reja kërkimi, pjesëmarrja në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kjo e bën punën tonë shumë interesante dhe të këndshme. Nuk ka të bëjë vetëm me pagën, por edhe avancimi profesional. Puna e mjekut nuk është vetëm të fitojë bukën e gojës, ajo bëhet mision”, pohon Artani, mjek i larguar në Gjermani për studimin e autorëve Gëdeshi-King-Çeka.
Qeveria “investoi” në krizën e besimit ndaj bluzave të bardha
Për vite me radhë, figura e mjekut në Shqipëri u bë sinonim i korrupsionit, për të cilën u investua edhe qeveria. Duke i lënë një derë hapur korrupsionit, nëpërmjet pagave të ulëta, qeveritë drejtuan gishtin te punonjësit e shëndetit për të gjitha problemet e sektorit.
Kur i gjithë ambienti gëlonte në korrupsion, nuk munguan skenarët bombastikë të arrestimit të mjekëve për korrupsion në nivel qesharak.
Arrestimet nuk kursyen as asetet me peshë në mjekësi. Tashmë ka një krizë besimi të publikut ndaj bluzave të bardha, që po rrit rastet e dhunës.
Një kirurg i njohur në QSUT u dëmtua rëndë fizikisht vitet e fundit. Teksa po çlodhej në oborrin e spitalit nga qëndrimi i gjatë në sallë, u përball me dhunën e disa të rinjve që kërkonin ndihmë për babain e moshuar në vendin e gabuar, pasi mjeku punonte në sektorin e fëmijëve.
Fatmir Brahimaj, presidenti i Urdhrit të Mjekut tha se sfida është zbutja e krizës së besimit të publikut ndaj bluzave të bardha.
“Dikur mjekët dhe të gjithë bluzat e bardha ishin persona të respektuar dhe të adhuruar. Gjatë tranzicionit u hodhën shumë dritëhije mbi bluzat e bardha deri sa u shfaq kriza e besimit të publikut dhe e bluzave të bardha” tha Ibrahimi, nga Urdhri i Mjekut.
Së pari, të gjitha mangësitë e vërejtura në shërbimin shëndetësor, për shkak të vështirësive të periudhës dhe të keqmenaxhimit të këtij shërbimi, me pa të drejtë iu faturuan bluzave të bardha dhe sidomos mjekëve, si personat e parë të kontaktit me kërkuesit e këtij shërbimi.
Së dyti, në qoftë se i referohemi mitmarrjes dhe korrupsionit, fajin përsëri nuk e kanë vetëm mjekët, por dhe ata që bëjnë zhurmë dhe bërtasin për korrupsionin dhe që ofrojnë para, apo paraqiten të dhunshëm për të përfituar maksimumin e dhunshëm në shërbim, thotë presidenti i Urdhrit të Mjekut.
Së treti, pasqyrimi nga mediat vetëm i anëve negative të sistemit dhe stigmatizimi i mjekëve në mënyrë të veçantë, duke mos pasqyruar edhe anët pozitive për mjekët dhe shërbimet mjekësore kanë çuar në krijimin e një opinioni dhe psikologjie negative dhe të rrezikshme.
Së katërti, mangësitë në edukimin dhe formimin profesional dhe etik të mjekëve, mungesa e profesionalizmit dhe përkushtimit te një pjesë e tyre, qëndrimet indiferente ndaj këtyre fenomeneve të masës tjetër të mjekëve, si dhe mungesa e kërkimit të llogarisë dhe llogaridhënies në institucionet shëndetësore janë çështje për të cilat bluzat e bardha me përgjegjësi dhe përkushtim duhet t’i kërkojnë brenda vetes dhe të mos i japin shkas kësaj lufte të ftohtë midis tyre dhe shoqërisë, midis mjekut dhe të sëmurit, si dhe dhunës në të gjitha format që ushtrohen ndaj tyre./MONITOR