Reporteri në Bundestagun gjerman për Shqipërinë, Peter Beyer, është pritur ditën e sotme në selinë e Partisë Demokratike nga Sali Berisha dhe një grup deputetësh.
Në një prononcim për mediat, Berisha deklaroi se e njohu zyrtarin gjerman me të gjitha problematikat e vendit, sidomos atë të bllokimit të sistemit të drejtësisë.
“E njoha me të gjitha pikëpamjet e opozitës me këto zhvillime dhe e sigurova se ne qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si projekti më i mirë, projekti për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Natyrisht e njoha edhe me pengesat e mëdha, serioze, shumë të mëdha, me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelet e drogës dhe fuqinë e tyre shumë të madhe për shkak të lidhjeve të niveleve më të larta dhe vështirësi të tjera me të cilat ne përballemi, por edhe vendosmërinë tonë për të vazhduar përpjekjet në këtë vend që të realizojmë projektet që kemi.
Faleminderit shumë dhe njëherë zoti Beyer për të gjithë mbështetjen dhe interesin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.
Ndërkohë, Beyer u shpreh se ka vizituar edhe Prokurorinë e Posaçme, teksa theksoi se duhet transparencë dhe qasje të hapur ndaj sistemit gjyqësor të këtij vendi.
“Kemi pasur një bisedë shumë frytdhënëse, folëm për procesin e integrimit në BE.
Vizitova edhe SPAK dhe biseduam me anëtarë të qeverisë.
Duhet transparencë dhe qasje të hapur ndaj sistemit gjyqësor të këtij vendi. Këtë folëm, dhe në lidhje me atë që mund të bëjmë për të mirën e shqiptarëve”, tha mes të tjerash ai.