Ditën e nesërme do të mbahet seanca e radhës plenare, ku në rendin e ditës është futur edhe votimi i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar.
Projektligji parashikon rritjen e pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të apelimit, në masën dyfish krahasuar me atë të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Ka qenë ky një propozim i Gjykatës Kushtetuese që parashikon që paga e një gjyqtari të rritet në vlerën e 644 mijë lekëve të reja ndërsa e kryetarit 773 mijë lekë.

Miratimi i këtij projektiligji u bë në shtator të vitit 2023 në Komisionin e Ligjeve, pavarësisht kundërshtive të deputetit socialist Fatmir Xhafaj i cili abstenoi ndërsa demokrati Oerd Bylykbashi votoi kundër.
Ditën e sotme, Apeli vendosi që vula e PD t’i kalojë Sali Berishës, duke e njohur zyrtarisht si kryetar të kësaj force politike, pas një zvarritje më shume se 2 vjeçare.
Por ajo që pritet me interes është nëse do të ketë një tjetër marrëveshje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të bashkuar votat për të miratuar rritjen e pagave të gjyqtarëve.
Menjëherë pas vendimin të gjykatës së Apelit në favor të Berishës, Kuvendi futi në rendin e ditës projektligjin, si një sinjal se ndoshta nesër do t’i jepet “OK” ndryshimeve në projektligj me votat e dy kampeve.
Tani që në kampin e demokratëve situata ka ndryshuar, me Rithemelimin që ka marrë “frerët” e partisë pas vendimit të Apelit, mbetet për tu parë nëse deputetët e PD do të japin votën pro, duke iu gëzuar faktit se Berisha mori drejtimin e partisë ndërsa lufta e radhës, është lirimi nga arresti i shtëpisë, të ish-kryeministrit, të akuzuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.