Berisha: Kur Shqipëria digjej, Rama i caktoi vetes pension 4 milionë lekë në muaj!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se i ka caktuar vetes së tij vendosjen enjë pensioni rekord gjatë një periudhe krize në vend.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se ndërkohë që Shqipëria po përballej me situata të vështira, Rama vendosi një pension prej 4 milionë lekësh në muaj, shuma më e lartë në historinë e vendit.

Ai shtoi se pensioni i kryeministrit është mbi 30 herë më i lartë se mesatarja kombëtare dhe madje më i lartë se ai i presidentit, i cili ka 3.5 milionë lekë.

“Por, lajmi i verës, përveç këtij mashtrimi të shëmtuar publik, është fakti se Edi Rama caktoi vetes pensionin më të lartë të të gjitha kohërave në historinë e këtij vendi. Në një kohë kur vendi digjej flakë në të katër anët, ai kujtohej sipas medieve, të përcaktojë për kryeministrin pensionin prej 4 milionë lekë.

Pra, 4 milionë lekë, do të thotë 48 milionë lekë në vit pension Edi Rama për vete. E garantoj se kurrë nuk do e gëzojë sepse pensioni mesatar vjetor sipas INSTAT-it në Shqipëri është gjithsej 1.6 milionë lekë. Edi Rama caktoi për veten e tij një pension 30 e sa herë më të madh se mesataren e pensionit në vendin e tij. Nuk ka, përveç diktatorëve të rrallë sot, që mund të ndërmarrin një veprim të tillë.
Madje edhe presidentit ia caktoi më të ulët atij. 3.5 milionë lekë. Ky ishte preokupimi veror i narkodiktatorit. Pensioni i tij” u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.