Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference për mediat ka thënë se para datës 20 shkurt do të organizojnë protestën e dytë kombëtare.
Berisha po ashtu tregoi kushtin për të hyrë në zgjedhje, duke kërkuar qeveri teknike, pais kjo e fundit do të përgatisë një proces zgjedhor të drejtë.
“Së pari, pa qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet, në zgjedhje nuk shkohet. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Ne e kemi deklaruar këtë dhe kjo është një e vërtetë e faktuar tashmë. E faktuar jo vetëm nga ne, por dhe nga komuniteti ndërkombëtar, vëzhguesit e zgjedhjeve. Ndaj dhe PD dhe opozita, kërkon largimin e Edi Ramës, kërkon një qeveri teknike e cila të përgatisë një proces zgjedhor të drejtë. Kjo është kërkesa jonë”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati u shtriu dorën e bashkëpunimit partive të tjera opozitare, si e vetmja mënyrë për të larguar Ramën nga pushteti.
“Të gjitha partitë pa përjashtim do ftohen. Ne mendojmë se është koha për të krijuar një front të gjerë opozitar, në mënyrë që me shkallën më të lartë të përgjegjësisë, forcat politike opozitare të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe, të bashkërendojnë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare narko-regjimit të Edi Ramës. Janë të ftuara pa përjashtim të gjitha”, tha Berisha.