Belind Këlliçi, ish-deputet denoncoi mbrëmë në emisionin “Të Paekspozuarit” një skandal tjetër në bashkinë e Tiranës. Ai tregoi dokumente që sipas tij dëshmojnë pagesat që vijojnë për kompaninë “5D” që kishte për pronarë ish-drejtorët e bashkisë, të arrestua rreth 2 muaj më parë me urdhër të SPAK.
Administratorët në hije të saj, Taulant Tusha dhe Redi Molla janë në burg, por bashkia e Tiranës vijon t’i paguajë. Bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të pedonales dhe pistës së biçikletave në Liqenin e Thatë që duhej të përfundonte 2 vjet më parë dhe që edhe pse nuk ka përfunduar bashkia vijon ta paguajë.
“Është në projekt i fituar nga “5D” në 2021, 587 mijë euro për një pedonale dhe pistë biçikletash dhe duhet të kishte mbaruar në maj 2022. Kompania “5D” është paguar mbi 50 për qind të shumës totale, mbi 307 mijë euro.
Nga bashkia e Tiranës janë bërë dy pagesa më 28 maj 2024 për ndërtim pedonale, korsi biçiklete. Duke qenë se kjo kompania nuk është sekuestruar, pardje, ndërkohë që ne ishim në protestën e 9-të janë paguar mijëra euro për këtë projekt që nuk ekziston. Më 28 maj janë likuiduar dy fatura”-tha Belind Këlliçi.

Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha, 3 nga drejtorët bashkisë së Tiranës sipas SPAK kishin krijuar kompaninë 5D për të marrë tenderat janë tashmë në qeli. Kjo kompani, sipas SPAK ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në të paktën 7 procedura prokurimi. Ata kanë përfituar të paktën 45 tendera publikë me vlerë rreth 30 milion euro.
