Begaj kalon në heshtje ‘Barazinë gjinore’, ligji do të hyjë në fuqi pa firmën e Presidentit

Ligji i shumëdebatuar për “Barazinë Gjinore” do të hyjë në fuqi pa dekretin e Presidentit. Bajram Begaj. 

Kjo për shkak se afati kushtetues që Begaj të firmoste ka mbaruar, duke bërë që kreu i shtetit ta kalojë në heshtje ligjin në fjalë.

Ligji u miratua në seancën e 6 nëntorit me 77 vota pro dhe 36 kundër, ndërsa kundër këtij drafti pati edhe protesta nga një grup qytetarësh dhe aktivistësh.

Ndërkohë opozita përmes një letre të firmosur nga 12 gra deputete kërkoi kthimin e ligjit mbrapsht duke e konsideruar draftin e miratuar si antikushtetues dhe që cenon të drejtat e njeriut, me qëllim kryesor shkatërrimin e familjes.

Po ashtu, komunitetet fetare në Shqipëri përmes një deklarate janë shprehur kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”, i cili pritet të marrë dritën jeshile në Kuvend.

Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kishës Ortodokse e Katolike, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Vëllazërisë Ungjillore shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, që sipas tyre bien ndesh me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare.