BE zbardh skemën e vjedhjes së fondeve të IPARD: Kontratat ishin false, aplikantët paguan përqindje të lartë të granteve që të fitonin

Një vit më parë, BE pezulloi grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre.

Vendimi erdhi pas një hetimi të OLAF, Zyra Antikorrupison e Bashkimit Europian. Kjo e fundit ka zbardhur edhe skemën e korrupsionit me grantet e fermerëve.

Sipas OLAF, fermerëve u merreshin në formën e ryshfetit përqindje të konsiderueshme të granteve përmes kompanive të konsulencës të përzgjedhura paraprakisht, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me AZHBR-në.

Po ashtu nënvizohet se fituesit e këtyre granteve janë dhënë përmes një konkursi të manipuluar, me oferta false.

Pjesë nga raporti i hetimet të OLAF:

OLAF hetoi akuza serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD II) në Shqipëri.

IPARD II u krijua për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar në përputhje me standardet e BE-së dhe arritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE.

Një pretendim ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.

Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.

Këto parregullsi përfshinin:

Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;

Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);

Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.

Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II 33 milionë euro, si të papërshtatshme.

OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.

Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë.