BBC: Roja bregdetare greke ka hedhur qëllimisht në det emigrantët

Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare, thonë dëshmitarët, duke përfshirë nëntë të cilët u hodhën qëllimisht në ujë, shkruan BBC.

Nëntë janë në mesin e më shumë se 40 personave që dyshohet se kanë vdekur si pasojë e dëbimit me forcë nga ujërat territoriale greke, ose të nxjerra përsëri në det pasi arritën në ishujt grekë, ka zbuluar analiza e BBC.

Roja bregdetare greke i tha hetimit të BBC se kundërshton me forcë të gjitha akuzat për veprimtari të paligjshme.

Por media prestigjioze tregon se disponon pamjet e 12 personave duke u hipur në një varkë të rojes bregdetare greke dhe më pas lihen të braktisur në një gomone.

Qeveria greke është akuzuar prej kohësh për kthime të detyruara – duke i shtyrë njerëzit drejt Turqisë, prej nga kanë kaluar, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Por kjo është hera e parë që BBC ka llogaritur numrin e incidenteve që pretendojnë se viktimat kanë ardhur si rezultat i veprimeve të rojes bregdetare greke.

15 incidentet e analizuara u përkasin datave maj 2020-23 – dhe rezultuan në 43 vdekje. Burimet fillestare ishin kryesisht mediat lokale, OJQ-të dhe roja bregdetare turke. Verifikimi i llogarive të tilla është jashtëzakonisht i vështirë – dëshmitarët shpesh zhduken, ose janë shumë të frikësuar për të folur. Por në katër nga këto raste BBC thotë se ishin në gjendje të vërtetonim rrëfimet duke folur me dëshmitarë okularë.

Hulumtimi i cili shfaqet në një dokumentar të ri të BBC-së, “Dead Calm: Killing in the Med?” tregon ndër të tjera një emigrant të intervistuar nga Kameruni.

Ky burrë nga Kameruni tha për BBC se u hodh në det nga roja bregdetare – dy shokët e tij u mbytën .Në pesë nga incidentet, emigrantët thanë se u hodhën direkt në det nga autoritetet greke. Në katër prej këtyre rasteve ata shpjeguan se si kishin zbritur në ishujt grekë, por u gjuajtën nga policia.

Në disa incidente të tjera, emigrantët thanë se ishin futur në gomone të fryrë pa motorë, të cilët më pas u shfrynë, ose dukej se ishin shpuar. Një nga rrëfimet më rrëqethëse u dha nga një burrë nga Kameruni, i cili thotë se u ndoq nga autoritetet greke pasi zbarkoi në ishullin Samos në shtator 2021.

“Ne mezi ishim ankoruar dhe policia erdhi nga pas. Ishin dy policë të veshur me të zeza, dhe tre të tjerë me rroba civile. Ata ishin të maskuar, i shihje vetëm sytë”, tha ai.

Ai dhe dy të tjerë, një tjetër nga Kameruni dhe një burrë nga Bregu i Fildishtë, u transferuan në një varkë të rojes bregdetare greke, tha ai, ku ngjarjet morën një kthesë të tmerrshme.

“Ata filluan me [tjetrin] kamerunasin. E hodhën në ujë. Ai tha: ‘Më shpëto, nuk dua të vdes… dhe më pas vetëm dora e tij ishte mbi ujë dhe trupi i tij ishte poshtë. Ngadalë dora i rrëshqiti poshtë dhe uji e përfshiu.

I intervistuari thotë se rrëmbyesit e tij e kanë rrahur. ” Ishte sikur po goditnin një kafshë”. Dhe më pas ai thotë se e kanë shtyrë edhe atë në ujë – pa jelek shpëtimi. Ai mundi të notonte deri në breg, por trupat e dy të tjerëve, Sidy Keita dhe Didier Martial Kouamou Nana, u gjetën në vijën bregdetare turke.

Avokatët e të mbijetuarit kërkojnë që autoritetet greke të hapin çështjen për vrasje të dyfishtë.