Basha kërkon Vetting të politikanëve: Ta shohin shqiptarët kush është i pastër e kush jo!

Ish kreu i PD Lulzim Basha ka bërë thirrje për vetting të politikanëve.

Në një deklaratë nga Mati ku vijon turin e takimeve, Basha thekson se SPAK duhet të sekuestrojë pasuritë e të dënuarve për korrupsion.

“Sot është e qartë, ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë, ata që duan që Shqipëria të mbetet në duart e tyre, janë bashkë kundër vetting-ut, janë kundër llogaridhënies për pasuritë e tyre dhe lidhjet me krimin, që i përdorin në çdo palë zgjedhje.

Sot është koha të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Të shohim a i justifikojnë apo jo?

Ndiq paranë, por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo!

Dosja e Inceneratorëve – Afera korruptive e shekulli, që u kushtoi shqiptarëve 430 milionë euro tregoi se si qeveria vepronte si grup i strukturuar kriminal. Por kjo është vetëm njëra nga shumë aferat që presin vendimin e drejtësisë.

Është i domosdoshëm mirarimin i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, jo vetëm për dënimin e korrupsionit, por edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera”, shkruan ndër të tjera Basha.